×
  • Lajme
  • Lajme / Zmbrapsja

    Paralajmërimi i ShBA-së, Vuçiq: Ushtria serbe s’do të hyjë në Kosovë, do të urdhërojmë tërheqjen e tyre

    Reporteri
    30 Shtator 2023 | 19:50

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se nuk ka ndërmend të urdhërojë forcat ushtarake të vendit të tij që të kalojnë kufirin në Kosovë, pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve amerikanë për një rritje “të paprecedentë të trupave ushtarake” nga Beogradi.

    Në një deklaratë të dhënë për Financial Times të shtunën, Aleksandar Vuçiç tha se ai do të tërheqë forcat ushtarake  të Serbisë nga ajo zonë, sepse një përshkallëzim i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat e Beogradit për në BE.

    “Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin?” ka thënë Vuçiq. “Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë”, citohet të ketë thënë sot ai, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës në një reagim të lëshuar pak më parë ka kërkuar nga Serbia tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën. Në reagim bëhet e ditur se Serbia ka vendosur kapacitetet ushtarake në 48 bazat e përparme afër kufirit me Kosovën dhe se në to janë vendosur edhe sistemet kundërajrore e artileria e rëndë.

    “I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në thirrjen e Qeverisë së Kosovës.

    Qeveria: Serbia ka vendosur afër kufirit edhe artilerinë e rëndë, të bëjë menjëherë tërheqjen e të gjitha trupave ushtarake

    Serbia kishte dislokuar trupat ushtarake në Vranjë, afër kufirit me Kosovën, pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku mbeten të vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë.

    Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

    Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe sot se ShBA-ja është e shqetësuar me dërgimin e trupave nga ana e Serbisë në kufirin me Kosovën.

    Këtë kërkesë sot e bëri edhe Bashkimi Evropian. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!