×
  • Lajme
  • Lajme / Mungesa e prodhimit

    Paralajmërimi për import nga nesër, sa kushton rryma në bursat ndërkombëtare?

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 14:42

    Rënia e blloqeve në KEK, pritet ta shtyjë vendin drejt importit të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në mungesë të prodhimit vendor nesër e ditëve në vijim, e gjithë sasia e rrymës do të duhet të mbulohet duke blerë nga jashtë. Por, sa është çmimi i rrymës aktualisht në bursë?

    Për fat të mirë, çmimi i rrymës është në trend të rënies në bursat ndërkombëtare, tash e tri ditë.

    Në bursën hungareze HUPX, ku blen Kosova, çmimi mesatar për një megavat-orë të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme është 88 euro e 28 centë, teksa gjatë orëve të pikut, ku konsumi është në nivelin më të lartë, çmimi është 48 euro e 44 centë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Dje, çmimi ka qenë 90 euro e 2 centë, përkatësisht 60 euro e 61 centë. Të mërkurën çmimi për një megavat në orë të energjisë ka qenë 95 euro e 15 centë, teksa në orët e pikut 64 euro e 11 centë.

    Nesër çmimi për një megavat në orë parashihet të bie në 73 euro e 85 centë, teksa për orët e pikut në 27 euro e 51 centë.

    Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi dje se tri blloqet e Termocentralit Kosova A, janë jashtë funksionit, duke përfshirë edhe bllokun A4 që është në remont nga muaji maj.

    Përmes një njoftimi tjetër, KEK bëri me dije sot se njësia A3 është kthyer në operim sot në orën 08:00.

    Disa orë pas njoftimit të KEK, KESCO doli me reagim, ku njoftoi për nevojën e domosdoshme për import në mungesë të prodhimit vendor.

    KESCO bëri thirrje për kursim që të mos ketë rëndim të mëtejshëm të situatës, teksa shtoi se është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem.

    “Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, deklaroi KESCO./Reporteri.net

    Nga nesër paralajmërohet mungesë e theksuar e prodhimit vendor të rrymës, KESCO alarmon për kursim

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!