Paralajmërimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se do të riangazhohet në dialogun Kosovë – Serbi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Qeverisë së Kosovës i është bërë thirrje që kjo deklaratë të merret seriozisht dhe si “reflektim” për angazhim në formimin e shpejtë të institucioneve.
Vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti i pyetur për këtë deklaratë ka thënë se ‘normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të ndodhë pa përmbushjen e obligimeve nga ana e Beogradit’.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse në një moment, Kosova pranon një kërkesë të shpejtë nga SHBA-ja për të pasur një qasje më proaktive në raport me një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë dhe “nëse ne nuk i kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi që i dëmton institucionet e Kosovës”.
“E shoh pozitivisht faktin që Trump e përmend edhe Kosovën dhe e sheh si një nga temat të cilat ai do të merret gjatë mandatit të tij, por para se të mendojmë për pozicionin e ShBA-së neve na takon të mendojmë ku është Kosova sot, dhe bllokada që po vazhdon për shkak të kryeneçësisë të Kurtit”.
“Se nëse në një moment ka një kërkesë nga ShBA-ja për të pasur një qasje më proaktive ne raport me marrëveshjen potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, e ne nëse si kemi institucionet e konsoliduara, kjo gjithsesi e dëmton pozicionin e Kosovës”, tha Krasniqi.
Edhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka theksuar se Kosova po përballet me sfida të reja në një botë që, sipas saj, po ndryshon me ritme të shpejta.
Ajo ka përmendur se lidershipi i vendit duhet të jetë më i kujdesshëm në ruajtjen e partneriteteve ndërkombëtare, sidomos me vendet që historikisht kanë ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Kosova duhet të jetë e gatshme të përballet me një botë që është duke ndryshuar vazhdimisht”, u shpreh Çitaku, duke shtuar se qeveria aktuale po dëmton këto marrëdhënie jetike.
Çitaku gjithashtu kujtoi disa nga arritjet e rëndësishme të Kosovës gjatë kohës kur administrata e parë e presidentit amerikan Donald Trump ishte në pushtet.
“Me administratën e parë Trump, Kosova ka bërë transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri si dhe kemi marrë njohjen nga Izraeli”, kujtoi Çitaku, duke aluduar se ato suksese nuk po vazhdojnë më me qeverinë aktuale.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka befasuar Evropën Juglindore dhe evropianët, por më së shumti, sipas tij, qeverinë aktuale të Kosovës, përkundër që Trump e ka përmendur dy herë ndërhyrjen e tij në këtë proces, gjatë fushatës së fundit elektorale në SHBA.
Haziri tha se me deklarata e Trumpit është konfirmim i rikthimit të vëmendjes në regjionin e Evropës Juglindore, respektivisht raportit Kosovë-Serbi.
“Duke e krahasuar me rolin amerikan në konfliktet e luftërat e njohura tashmë në botë, paralelja për ndërhyrje dhe arritjen e paqes në Kosovë dhe rikthimi i tij për shkak të dëmtimit të procesit, është paralajmërim që Kosova duhet të jetë e gatshme dhe duhet të përgatitet jashtëzakonisht shumë, që të mos e zë në befasi sikur që u zu të shtunën”.
“Flitej që nuk është në prioritet dhe se Kosova është e harruar nga Washingtoni. Fatkeqësisht kjo qeveri ka ndërtuar raporte të kushtëzuara dhe ky raport i kushtëzuar mund të shkaktojë probleme serioze”.
“Duhet të bëhemi gati që sa herë që vije mundësia, që të arrijmë e ta maksimalizojmë mbylljen e bisedimeve me njohjen reciproke në qendër”, shkroi Haziri.
Tutje, ai u shpreh se nuk duhet harruar që takimi i presidentit Trump në arritjen e Marrëveshjes së 3 shtatorit 2020, është përcjellë me dy rrethana të shkaktuara.
“E para, ndryshimet në qeveri në Kosovë, e cila ka qenë pëlqyer për takim me presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, dhe, e dyta, në rrugë e sipër, paralajmërimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara në atë kohë, Jack Smith, për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit të Republikës dhe tre të tjerëve”.
“Përkundër këtyre, është arritur marrëveshja, është vendosur edhe kriteri ekonomik dhe është nxjerrë njohja e Izraelit. Pavarësisht që presidenti Biden e ka lënë në fuqi këtë marrëveshje Trump-Hoti, qeveria Kurti e ka heshtur dhe e ka përcjellë me stigmatizim, fatkeqësisht”.
“E fundit, jo më pak e rëndësishme, pavarësisht krejt zhvillimeve në botë, luftërave Ukrainë-Rusi, Izrael-Gaza dhe Izrael-Iran dhe tensionet e mëdha që janë ndalur me ndërhyrjen e presidentit amerikan, Indi-Pakistan e Kazakistan-Armeni, ne kemi hyrë në grupin e shteteve që Presidenti Trump do ta ketë rolin vendimtar”, tha Haziri.
Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. /Reporteri.net/