×
  • Lajme
  • Lajme / Pro dhe kundër

    Parlamenti spanjoll – partitë kryesore kundër njohjes së Pavarësisë së Kosovës

    Reporteri
    25 Qershor 2024 | 19:41
    Parlamenti i Spanjës, foto nga arkivi

    Propozimi për ta futur në rend dite njohjen e Kosovës u bë nga partia seperatise katalonjase “Juntas”. Deputeti i kësaj partie, Eduard Pujol Bonell, duke shpjeguar propozimin, ka thënë se Kosova është “shtet ligjor”, pavarësia e së cilës është njohur edhe nga Gjykata e Hagës.

    Carlos Flores Juberias nga partia VOX kundërshtoi ashpër njohjen e Kosovës, duke thënë se ka shumë arsye pse Spanja nuk duhet ta bëjë këtë. Sipas tij, qëndrimi i Spanjës respektohet nga vendet e tjera dhe askush nuk po e detyron Spanjën ta njohë Kosovën.

    “Në kontekstin ndërkombëtar, gjysma e Kombeve të Bashkuara e ka njohur Kosovën, gjysma tjetër jo. Meqë ra fjala, a e dini sa vende të reja kanë njohur Pavarësinë e Kosovës në 10 vjetët e fundit? Do t’i emërtoj Tonga, Antigua dhe Barbuda, Singapori, Surinami, Bangladeshi dhe Barbados. Sa prej tyre mund t’i gjeni në hartë?”, ka thënë Juberias.

    Si një nga arsyet për mosnjohjen e Kosovës, Juberias përmendi të drejtën ndërkombëtare dhe kujtoi rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    “Dhe asnjë rezolutë e mëvonshme, aq më pak rezoluta mashtruese e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e 22 korrikut 2010, e cila injoroi çdo analizë nëse ligji ndërkombëtar i dha Kosovës të drejtë pozitive për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj, nuk çon në të kundërtën”, ka thënë deputeti i VOX-it, parti e ekstremit të djathtë.

    Ai theksoi se njohja e Kosovës do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Serbinë, e cila sipas tij është vend kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe me të cilin Spanja ka shkëmbim tregtar që rritet nga viti në vit. Siç ka thënë Juberias, marrëdhëniet dypalëshe mes Spanjës dhe Serbisë po përmirësohen.

    “Kosova nuk është as shtet plotësisht demokratik dhe as plotësisht sovran, sa i përket së parës, do të mjaftohem duke ju dhënë informacionin se që nga Pavarësia e Kosovës e deri më sot, më shumë se 200 mijë serbë janë dashur të largohen nga ai territor dhe për ata që kanë mbetur, situata është e paqëndrueshme”, ka thënë Juberias.

    Obdulia Taboadela Alvarez nga Partia Socialiste e Galicisë, parti në pushtet, ka thënë se Spanja mbetet e vendosur në qëndrimin për të mos njohur e Kosovën, “por ka kohë që po punon në negociatat për zgjidhjen e konfliktit brenda bashkësisë ndërkombëtare”.

    “Pozicioni i Grupit të Socialistëve dhe i Qeverisë së Spanjës bazohet në të drejtën ndërkombëtare publike dhe parimin e integritetit territorial të shteteve, respektimin e sovranitetit të tyre. Për më tepër, siç e dini, ky qëndrim është në përputhje me qëndrimin e vendosur me rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Historia e Kosovës dhe e Ballkanit është mjaft e ndërlikuar për t’u përmbledhur në disa minuta”, ka thënë ajo.

    Alvarez ka thënë se socialistët spanjollë insistojnë në stabilitetin e rajonit, duke pasur parasysh konfliktet në Ukrainë.

    Socialistët, Partia Popullore e VOX-i janë tri partitë më të mëdha në Spanjë. Të tria përsëritën qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës.

    Deputetja e partisë së kryeministrit Sanchez: Pozicioni ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!