Pas arrestimit të inspektorit në Prishtinë, reagon PDK-ja: Morali dhe patriotizmi i anëtarëve të VV-së po përfundon në korrupsion dhe shpërdorim të detyrave

Dega e Partisë Demokratike të Kosovë në Prishtinë ka reaguar me një komunikatë pas arrestimit në flagrancë të një inspektori të Komunës së Prishtinës për të cilën të martën shkruajti Reporteri.net.


Inspektori ishte zënë duke marrë ryshfet, ndërkohë PDK e cilëson si aktivist të VV-së derisa edhe medie të tjera kanë raportuar se i dyshuari është anëtar i VV-së.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, shpreh shqetësimin e thellë pas veprës skandaloze korruptive të inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës dhe aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gafurr V. Rexha”, thuhet në reagim.

“Arrestimi i inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Gafurr V. Rexha, i cili ishte punësuar në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje ku edhe tani vazhdon të jetë naëtar i këtij subjekti, është dëshmira më e mirë se morali dhe patriotizmi i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje po përfundon në korrupsion dhe shpërdorim të detyrave zyrtare”, përfundon reagimi.

Kujtojmë se të martën policia e Kosovës ka arrestuar inspektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Gafurr Rexha, shkruan Reporteri.net. Ai është zënë në flagrancë me 12 mijë euro në çantë të cilat ia kishte kërkuar Naim Berishës, pronar i kompanisë së ndërtimit “Berisha Group”, shkruan Reporteri.

Burime të Gazetës Online “Reporteri.net” bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 17 në restorantin “Liburnia” në Prishtinë.

“Rreth orës 17:00, i dyshuari G.R inspektor i ndërtimit ishte duke e pritur viktimën në restorantin Liburnia në Prishtinës dhe menjëherë pas takimit i nënti pranon paratë që ka kërkuar në formë ryshfeti ne vlerë prej 12 mijë euro të cilat i futë në çantën e tij të punës. Pas i dyshuari konsumoi veprat penale të korrupsionit u arrestua në flagrancë nga hetuesit. I dyshuari u detyra ta hapte çantën në prezencë të forenizikës në të cilin ishte zarfi me paratë që viktima N.B I kishe dhënë të dyshuarit G. R në formë ryshfeti” ka bërë të ditur ky burim i Reporterit.

Gafurr Rexha është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ai dyshohet për veprat “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”.

Por si ndodhi ngjarja dhe si nisën hetimet?

Mësohet se fillimisht viktima Naim Berisha kishte ankuar në polici se ndonëse posedonte leje ndërtimi për një objekt në lagjen e Spitalit në Prishtinë, atij i ishte ndaluar puna nga inspektori i cili po kërkonte ryshfet prej 12 mijë eurosh, shkruan Reporteri.net.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe korrupsionit ka pranuar palën ankuese N.B i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi “Berisha group” e cila merret me ndërtime të larta. Ankuesi tregon se është duke ndërtuar një objekt në lagjen e Spitali dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi ju kanë ndaluar punimet nga Inspektori i ndërtimit të Komunës së Prishtinës dhe sipas tij ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet në vlerë për 12 mijë euro për t’ia lejuar vazhdimin e punimeve”, ka thënë ky burim.

Pas pranimit të informatës Policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit dhe ka arritur deri te arrestimi i inspektorit.

Reporteri ka shkruar se Gafurr Rexha i cili është anëtar i Vetëvendosje, ishte arrestuar edhe një vit më parë për të njëjtën vepër bashkë me dy kolegë të tij Q.O dhe Gj.G., nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

/Reporteri.net/.