Pyetja e gazetës online Reporteri.net shtruar ndaj zv/kryeministrit të parë të Malit të Zi, Rashko Konjeviç, i cili vizitoi Prishtinën të premten, ishte se a do të ketë vizitë të kryeministrit [tashmë në mandat teknik] Dritan Abazoviç, duke qenë se ky i fundit tashmë ka vizituar dy herë Beogradin.
Përgjigja e Konjeviç për Gazetën Online Reporteri.net, ishte se për këtë gjë duhet pyetur vetë Abazoviç, si dhe për datën eventuale të vizitës së tij.
Ndërsa sa i përket dy vizitave të Abazoviç në Serbi, ai tha se “nuk e di pse Kryeministri Abazoviç ka prioritizuar vizitat në Beograd dhe nuk i ka ekuilibruar bashkëpunimet rajonale”.
Për këtë gjë ka reaguar pasditen e së mërkurës kryeministri Abazoviç, duke e akuzuar Konjeviçin se tani “taktikë e tij është të shkojë në Kosovë dhe të flet se si ai [Abazoviç] po bën diçka me Serbinë”.
“Miqtë e mi atje [në Kosovë] më tregojnë gjithçka”, tha Dritan Abazoviç, raporton portali malazez “Portal Analitika”.
Qëllimi i krejt kësaj sipas tij është që t’i mundësohet zgjedhja e Prokurorit të Lartë të Shtetit, sipas shijes së Gjukanoviçit.
“Rënia e qeverisë kushtëzohet nga tentativa për të zgjedhur një Prokurorit të Lartë të Shtetit me 50 deputetë. Fushata sapo ka filluar, kështu që ne do të flasim për gjithçka. Konjeviqi dhe Boshkoviqi po luajnë lojën, ndërsa të tjerët po bëjnë të tjera aktivitete”, tha Abazoviç, të martën në një konferencë.
Gazeta Online Reporteri.net i ka adresuar të njëjtën pyetje edhe Zyrës për Shtyp të Kryeministrit të Malit të Zi, si dhe këshilltarit personal për media të Abazoviç, por deri në publikimin e këtij shkrimi, as pas dy ditësh, nuk është pranuar përgjigje.
Pyetja e Gazetës Online Reporteri.net shpreh vetëm pritshmëritë normale për mundësinë e vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, shto asaj se zgjedhja e Abazoviçit kryeministër është brohoritur dhe mirëpritur në Prishtinë që nga 28 prilli, kryesisht duke qenë se vjen nga komuniteti shqiptar i Malit të Zi.
Zv/kryeministri i parë i Mali të Zi, Rashko Konjeviç, në deklaratën ekskluzive për gazetën online Reporteri.net, të dielën, u shpreh se ndjehet keq për “ndërprerjen dy vjeçare” të vizitave të zyrtarëve qeveritarë malazezë në Prishtinë. /Reporteri.net/.