Ka zgjatur më shumë se dy orë, Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari është intervistuar në Prokurorinë Speciale, shkruan Reporteri.net.
Hajdari ka thënë para gazetarëve se nuk është intervistuar sot por ka ardhë që të japë sqarime pranë prokurorisë për Legjislacionin që është në fuqi për rezervat shtetërore.
“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, tha Hajdari para gazetarëve.
Gazeta Online Reporteri.net sot ka kontakuar me zëdhënësin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, për ta marrë një përgjigje rreth intervistimit të ministres Hajdari, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.
I përfshirë ishte edhe njeriu i afërt i Kurtit, pronari i restaurantit ‘Bukë e Zemër’, Ridvan Muharremi.
Në audio-incizime, zyrtarët e MINT-it e konfirmonin se malli nuk kishte ardhur, dhe vlera ishte mijëra euro.
Kujtojmë se intervistimi i Hajdarit vjen pak ditë pasi në të njëjtin vend, u intervistua edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit i dyshuar për shpërlarje parash.