×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas paralajmërimit për masën e reciprocitetit, reagojnë shqiptarët e Luginës

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 22:44

    Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë kërkuar që të përjashtohen nga çfarëdo mase të reciprocitetit që Kosova merr ndaj Serbisë.


    Gjatë ditës së djeshme, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, do të paraqes si pikë të rendit të ditës një vendim për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë për targat dhe patentë-shoferët.

    Mirëpo, për një vendim të tillë të Qeverisë së Kosovës, shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë që të mos përfshihen në këtë masë të reciprocitetit.

    Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, ka thënë për lajmi.net, se e përshëndesin çdo vendim të Qeverisë së Kosovës që e fuqizon shtetësinë e Kosovës mirëpo, ai ka kërkuar që në këtë rast të mos përfshihen qytetarët e Luginës së Preshevës.

    Sipas tij, nëse Qeveria e Kosovës nuk bën ndonjë përjashtim për shqiptarët e Luginës së Preshevës në këtë masë të reciprocitetit atëherë siç u shpreh ai, ky do të ishte një diskriminim i dyfishtë për shqiptarët.

    “Megjithatë masat të cilat janë ndërmarrë duhet të kenë shumë kujdes, të kenë kujdes në raport me qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët mund të kenë probleme në këtë masë, ngase nuk do të doja që kjo të shprehej si një diskriminim i dyfishtë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Mustafa.

    Ai po ashtu ka thënë se, Kosova do të duhej të përdorte masë të reciprocitetit sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.

    “Në vazhdimësi qytetarët e Luginës së Preshevës kanë dhënë një kontribut të madh në shtetndërtimin e Kosovës. Megjithatë kur vije te vendimi dhe sigurisht Kosova do të duhej të aplikonte masa reciproke jo vetëm për raportet për të cilat ka folur por edhe për çështjet e tjera. Do të ishte mirë të vendoste si një funksionim reciprocitetin edhe sa i përket të drejtave serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, u shpreh Mustafa.

    Ai ka thënë se do të bëjnë kërkesë në institucionet e Kosovës që ata të përjashtohen nga çfarëdo mase reciprociteti që ndërmarrin ndaj Serbisë.

    “Po ne qëndrojmë po në të njëjtat deklarime ,sepse konsiderojmë se Kosova do të duhej të bënte përjashtime të çfarëdo mase që ndërmerr me Serbinë, do të duhej të përjashtoheshin shqiptarët e Luginës së Preshevës nga ato masa”, ka deklaruar Mustafa.

    Gjatë ditës së sotme, lajmi.net, ka provuar që të kontaktoj me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, për të marrë një përgjigje nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përjashtohen nga kjo masë e reciprocitetit, mirëpo nuk ka arritur që të marrim një përgjigje nga ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!