Avokati Dastid Pallaska, ka reaguar ndaj atyre që e kritikuan për paraqitjen e tij në një emision televiziv ku komentonte, siç e cilësoi kryeministri Kurti “marrëveshjen sekrete” të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për moslejimin e FSK-së në veri të vendit.
Pallaska i ka quajtur fundërrina ata që e kanë kritikuar në rrjetet sociale. Ai ka thënë se të tillët ende nuk e kanë shijuar betejën e vërtetë me njerëzit e lirë të këtij vendi, shkruan Reporteri.net.
Postimi i plotë:
Fundërrinat dalin në sipërfaqe pas vërshimeve.
Mbrëmë duket se kishte një “vërshim” në “drejtorinë e këmishëzinjve virtual” të partisë në pushtet.
Kjo e shpjegon zbrazjen dhe shpërndarjen e pakontrolluar të “fundërrinave” në rrjete sociale mbrëmë vonë dhe sot.
Duket se kanë menduar se – pas diskreditimit të PAN-it – e kanë “çliruar” Kosovën edhe nga opozita.
Sa gabim janë!
Ende nuk e kanë shijuar betejën e vërtetë me njerëzit e lirë të këtij vendi.
Me militantë të verbër nuk debatoj, jo vetëm pse nuk i respektoj.
Është e panevojshme të debatohet me dikë që nuk mendon me kokën e vet.
Nëse këmishëzinjt dëshirojnë debat, i ftoj t’iu kërkojnë shefave të vet politikë që t’i përgjigjen ftesave të mia për debat.
Unë jam këtu dhe këtu do të mbetem, qoftë edhe nëse jam vetëm.
E vërteta nuk i nënshtrohet votës!