×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas përjashtimit nga ENQA, reagojnë universitetet publike – është goditje për gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët

    Reporteri
    04 Tetor 2019 | 17:46

    Pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA (Europian Association for Quality Assurance In Higher Education), janë mbledhur Rektorët e universiteteve publike.


    Përmes një komunikate të përbashkët, thuhet se rektorët e universiteteve publike shprehin shqetësim të madh, por nuk janë të befasuar me vendimin për përjashtimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA.

    “Përjashtimi i AKA-së nga ENQA është goditje për gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët. Dëmi është shumë i madh. Përjashtimi i AKA-së është pasojë e politikave të gabuara në arsim. KSHC-ja në vazhdimësi ka qenë e ndikuar prej politikës. Vendimi i ENQA-së është pasojë e degradimit të AKA-së dhe dobësimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë në biznes dhe në vegël politike. Konsiderojmë se ENQA i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC-së që të stabilizohet por KSHC-ja ka dështuar në këtë aspekt”, është thënë në komunikatën për media të Konferencës së Rektorëve.

    Sipas tyre, mungesa e komisionit të ankesave pranë KSHC-së është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në vendimin e ENQA-së.

    “IPAL-i nuk ka pasur mundësi që ankesat e tyre për mosakreditim të programeve të caktuara t’i adresojë pranë komisionit të ankesave, meqë ky komision nuk ishte funksional, pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të komisionit”, thuhet në reagim.

    Konferenca e Rektorëve, e shqetësuar me veprimet e KSHC-së dhe Ministrisë së Arsimit, thotë se ka reaguar me kohe kundër politizimit të AKA-së, gjithashtu ka reaguar kundër dobësimit të AKA-së dhe vendimeve arbitrare të këtij institucioni.

    “AKA-ja nuk ka luajtur rol bashkëpunues dhe konstruktiv me IPAL-in, ajo është sjellë me universitetet publike si gardian burgu, mirëpo edhe përkundër kundërshtive, universitetet e kanë përkrahur AKA-në dhe Raportin e Vetëvlerësimit të AAK-së për ENQA-në”, thuhet në letrën e Konferencës, teksa bëhet me dije se Konferenca e Rektorëve kërkon përgjegjësi dhe reflektim nga institucionet relevante.

    “Konferenca e Rektorëve paralajmëron se, menjëherë pas zgjedhjeve të nivelit qendror, do ta mbajë edhe një mbledhje, për të kërkuar nga qeveria e ardhshme seriozitet dhe përkrahje të arsimit, e jo ndikim dhe ndërhyrje në IPAL”, thuhet krejt në fund të këtij reagimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!