×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas presionit publik, Ministria e Shëndetësisë dërgon një kontingjent me barna në Deçan

    Reporteri
    13 Korrik 2021 | 23:00

    Në mbrëmjen e sotme, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komunën e Deçant ka arritur një kontingjent me barna.


    Kjo për shkak, për t’i ndihmuar pacientët që po trajtohen lidhur me dyshimet helmime në këtë qytet.

    Po ashtu, presidentja Vjosa Osmani ofroi përkrahje për kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj, që këtë sfidë do ta kalojnë së bashku.

    Lidhur me këtë rast në Deçan, kryetari i i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka thënë se sot gjendja është më e mirë se një ditë më parë.

    “Është më e mirë se ditën tjetër”, tha Ramosaj.

    “Kam me respektuar secilin që ka me punua seriozisht me zbardh rastin. Në aspektin kimik uji është në gjendje të rregullt, edhe analiza mikrobiologjike ka dalë në rregull. Janë duke u bërë edhe analiza të tjera nga institucionet relevante”, shtoi ai në Pressing.

    Po ashtu, ka pasur reagime të ndryshme nga politikanë e nga shoqëria civile.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se QKMF-ja dhe qytetarët kanë nevojë për infuzione dhe barna.

    “Fluksi i qytetarëve që po kerkojne ndihmē nē Deçan prap ështē nē rritje.

    Senzibilizim e mobilizim i punëtorëve shëndetësor për tu admiruar.  Ministri Vitia sot erdhe sa pēr sy e faqe nē Deçan po me duar nē gjepa. QKMF-ja dhe qytetarēt kanē nevojē për ndihmē konkrete me infuzione e barna. Si gjeth qytetarët e Deçanit human të cilit po i dalin nē ndihmē me barna e infuzione institucionit shëndetēsor. Ju lumtë personelit shēndetësor dhe qytetarēve pēr kētē mobilizim!”, u shpreh ajo.

    Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt.

    Krasniqi është shprehur i brengosur për siç ka thënë neglizhencën e qeverisë, e cila sipas tij me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.

    “Jam i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit. Helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes. Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune. Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt“, tha ai.

    Krasniqi ka thënë se qytetarëve të Deçanit duhet t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme institucionale lokale, e po ashtu edhe siguria, në mënyrë që të mos bëjnë panik.

    Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

    Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK’së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

    Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini”, derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!