×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas takimit të Haradinajt me drejtorin e Telekomit, ky është reagimi i Z Mobile

    Reporteri
    06 Maj 2019 | 16:48

    Edhe një javë kohë i kanë mbetur Telekomit të Kosovës që të paguaj borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurove që i detyrohet Z Mobile.


    Gjatë ditës përkrahje për Telekomin ka premtuar kryeministri Ramush Hardinaj, pasi takoi drejtorin ekzekutiv, Bedri istrefin.

    Haradinaj tha se me drejtorin e Telekomit kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, përfshirë këtu edhe kontratën me Z Mobile.

    E përmes një komunikate ka reaguar edhe kompania Z mobile, e cila thotë se gjatë gjithë kohës kanë shpresuar se mosrespektimin e kontratës do ta zgjidhnin ndryshe e jo përmes Tribunalit të Arbitrazhit.

    Më tutje gjeni reagimin e plotë të Z mobile:

    Dëshirojmë të theksojmë sërish se ne gjatë gjithë kohës kemi shpresuar se mosrespektimin e kontratës me Telekomin e Kosovës do ta zgjidhnim bashkë me mirëkuptim të drejtpërdrejt dhe asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest t’ë detyrohemi të kërkojmë drejtësi pranë Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), ose duke u thirrur në vendimin e këtij arbitrazhi, i cili, pas procedurës që ka zgjatur prej 2 vitesh, kishte konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës.

    Siç është informuar rregullisht edhe opinioni publik, ne kishim shteruar të gjitha përpjekjet që të arrijmë me mirëkuptim dhe shpirt bashkëpunimi profesional respektimin e kontratës me partnerin tonë, Telekomin e Kosovës, Duke parë se bisedimet e atëhershme nuk sjellnin asnjë zgjidhje, kurse humbjet e kompanisë rriteshin me secilën ditë që ka kaluar, ne ishim detyruar me keqardhje dhe pa vullnetin tonë t’i drejtohemi drejtësisë.

    Rasti ishte shqyrtuar nga Tribunali i përberë nga gjyqtarë liderë në Bashkimin Evropian dhe ka zgjatur për dy vite, në të cilin janë dëgjuar ekspertë të mirënjohur të fushës së teknologjisë së telekomunikacionit, financiarë dhe ligjorë.

    Ne para kolegjit të arbitrazhit kemi ofruar faktet e njëjta të cilat në fakt gjatë gjithë kohës ia kemi prezantuar edhe përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës. Të kujtojmë se vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-ja, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës:

    – Mosfurnizimi me SIM Kartela

    – Mosfurnizimi me numra

    – Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe

    – Ulja e cilësisë së shërbimeve

    Mos ofrimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit. Ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë dhe t’i mbajmë të punësuarit në punë.

    Ne shpresonim që vendimi i ICC-së, do ta rikthente normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive.

    Telekomi dhe Z Mobile gjatë gjithë kësaj kohe kanë zhvilluar takime me qëllim të kërkimit të zgjidhjes miqësore, me qëllim të parandalimit të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Ne gjithmonë jemi deklaruar se nuk kemi interes që Telekomi të ketë vështirësi. Për këtë qëllim kemi iniciuar biseda për zgjidhen e një modusi, i cili ruan të dyja palët dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme përpara.

    Mirëpo edhe në periudhën në vazhdim dhe deri më sot kemi hasur në mospërmbushje të kushteve të marrëveshjes dhe, së fundi, edhe kërcënimet se kontrata nuk do të zbatohet njëanshëm nga Telekomi i Kosovës, të gjitha këto të raportuara edhe nëpër media.

    Në këtë situatë neve nuk na është lënë asnjë hapësirë për të shpresuar se në periudhën në vazhdim Telekomi do t’i respektojë detyrimet e veta, të ripotencuara qartë edhe në vendimin e Arbitazhit, kështu që jemi detyruar të thirremi në vendimin e njëjtë të ICC-së për ekzekutim të kompensimit të humbjeve të shkaktuara shkaku i neglizhencës së njërës palë kontraktuale, Telekomit të Kosovës.

    Vlen të theksohet se Tribunali i Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, i përzgjedhur nga palët kontrakuale, gëzon reputacionin si një ndër institucionet më të besueshme të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale në nivel ndërkombëtar.

    Në fund, përshëndesim klientët tanë, të cilët edhe përkundër pamundësisë për të operuar normalisht në tregun e telekomunikacionit – na kanë mbetur besnikë. /Reporteri.net/.

    Haradinaj takohet me 1-shin e Telekomit, tregon çka do të bëjë për ta shpëtuar

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!