Me t’u kryer zgjedhjet e së dielës në Bosnje-Hercegovinë, Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar i BeH-së, Christian Schmidt, do të imponojë ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, thonë të kenë mësuar mediat boshnjake Istraga dhe Politicki, raporton gazeta online.
Ky “ndryshim” i pretenduar i Ligjit Zgjedhor i cili ngjalli protesta e tensione në BeH në korrik të këtij viti, dhe i cili u quajt “legalizim i aparteidit zgjedhor”, nuk është tërhequr nga opsionet që Schmidt ka ndërmend t’i çojë para, pretendojnë këto dy media.
Kujtojmë se ky ndryshim ka për synim dhënien e ekskluzivitetit votues kroatëve për të zgjedhur anëtarin e tyre të Presidencës trepalëshe të BeH-së, gjë që nuk ka qenë rasti deri më tani, ngase anëtari kroat (çfarë e duan HDZ-ja e BeH-së të jetë nën ekskluzivitetin e tyre) është mbivotuar nga votat boshnjake në Federatën e Bosnje Hercegovinës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Njëra nga opsionet është imponimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i Ligjit Zgjedhor, të dielen, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe para lajmërimeve të rezultateve. Kjo është duke u konsideruar”, ka thënë njëra nga bashkëbisuedit e portalit Istraga.ba dhe Politicki.ba.
Burime diplomatike, në anën tjetër, thonë, se tani për tani, vlerësohet se imponimi i Ligjit të ri Zgjedhor në ditën e Zgjedhjeve të Përgjithshme në BeH do të dërgonte mesazh të keq. Andaj edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), janë më afër opsionit që ndyshimet të bëhen përmes Fuqive të Bonit javën tjetër pas zgjedhjeve.
Si arsyetim për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, Christian Schimdt, siç pretendojnë mediumet boshnjake, “do të përdor bllokadat në vend”.
Këtë ndryshim të ligjit zgjedhor e kanë kundërshtuar rreptë boshnjakët, të cilët e shohin si ndarje të mëtejme etnike të vendit, derisa kroatët brenda BeH-së e kanë kërkuar me ngulm, dhe gjithashtu kanë gjetur mbështetjen e shtetit të Kroacisë, si garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit, ku populli kroat në BeH është popull konstituent.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bahkimi Evropian nuk janë shprehur kundër këtij ndryshimi dhe autoritetit të Christian Schimdt.
Në korrik të këtij viti, në vazhdën e tensioneve që u zgjuan nga një parlajmërim i tillë, Departamenti amerikan i shtetit ishte deklaruar se “vendimi mbi përdorimin e Fuqive të Bonit i është dhënë ekskluzivisht Përfaqësuesit të Lartë. Ai vendos nëse, kur dhe si t’i përdor”.
DASh ishte deklaruar se “do të mbështesin çfarëdo vendimi që Përfaqësuesi i Lartë”.
Një zëdhënës i DASh-së nuk kishte dhënë komente të mëtejme mbi detajet e reformave të mundshme.
“Në këtë moment, nuk do të komentojmë mbi reformat e mundshme që përmendura në media. E përsërisim, vendimi mbi përdorimin e Fuqive të Bonit i takon ekskluzivisht Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë”, ka thënë zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i doli në mbështetje Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, duke thënë se propozimi i këtij të fundit “është i mirë, i dobishëm dhe i balancuar”.
Zheljko Komshiç, anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, e ka kundërshtuar fuqishëm një vendim të tillë, duke e quajtur atë “ndarje të mëtejme të vendit në linja etnike”.
Në anën tjetër, shoqëria civile dhe qarqe politike e kanë quajtur “legalizim të aparteidit zgjedhor”./Reporteri.net/