Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani, ka folur lidhur me gjendjen e sigurisë atje, pas shpërthimit që ndodhi dje në mesditë në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Sipas Elshanit, situata është “e qetë por delikate”.
Ai ka paralajmëruar shtim të patrullave policore në afërsi të liqenit gjatë ditëve në vijim, shkruan Reporteri.net.
Elshani ka dhënë detaje edhe për bastisjen që është kryer mbrëmë në një shtëpi, lidhur me këtë rast.
“Kemi pasur edhe një bastisje në një shtëpi rreth orës 21:00 në mbrëmje, ku kemi sekuestruar një automjet, kemi kryer bastisje në një shtëpi, ku në atë shtëpi kemi sekuestruar tri radiolidhje, ndërsa personit të cilit i është bastisur shtëpia nuk kemi hasur në të, por jemi të interesuar ta intervistojmë. Puna e policisë në këtë rast nuk do të ndalet. Me siguri sonte, nesër apo në ditët në vijim do të shihni patrulla të shtuara policore kah Ujmani. Punët hetimore nuk do të ndalen deri në atë që mendojmë se do të sjellë rezultat”, ka deklaruar Elshani.
Për mjetin shpërthyes, ai ka thënë se nuk dihet ende se çfarë lloji ka qenë, meqë ende s’ka raport preliminar.
Policia nuk mund të flas për detajet e rastit, por ajo çfarë mund të them është se hetuesit kanë ardhur me vendim që ky person duhet të intervistohet. Me siguri që ne të do të intervistojmë edhe persona të tjerë në vazhdimësi, sepse o duhet të verifikojmë alibi, ose të intervistojmë njerëz të caktuar, të verifikojmë deklaratat e tyre, që është punë normale policore që bëhet në këto raste, me qëllim të ndriqimit të rastit…Nuk mund të themi diçka për mjetin shpërthyes, meqë nuk e kemi raportin preliminar të hetuesve. Kjo është pjesë e hetimit”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes të shtuar.
“Çka porosimim për qytetarët është që ata të kenë kujdes, ne nuk e ndalim lirinë e lëvizjes. Qytetarët kanë të drejtë të lëvizin kudo në territorin e Kosovës, por duhet të kenë kujdes. 100 përqind siguri nuk ka askund, situate në veri e tregon një gjë të tillë…”, tha Elshani.
Ndryshe, nga shpërthimi i djeshëm, janë dëmtuar disa vetura.