Çështja e dinarit ka mbledhur sot në Bruksel, Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak si dhe kryenegociatorët, atë të Kosovës, Besnik Bislimin dhe të Serbisë, Petar Petkoviq. Aktualisht palët po kryejnë takime të ndara me emisarin evropian, derisa nuk dihet ende nëse do të ketë një takim trepalësh mes tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Mirëpo, rreth një muaj më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi plotësisht i vendosur thoshte se takimet e tilla nuk janë për kryenegociatorin, dhe se ai do të udhëtonte drejt Brukselit vetëm për të diskutuar për Marrëveshjen Bazike.
Madje, Bislimi vlerësonte se Lajçak kishte shkelur parimet e tij, pasi siç kishte thënë zëvendëskryeministri një muaj më parë, emisari evropian kishte vendosur temë pa dakordim të palëve.
“Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, kishte thënë Bislimi para gazetarëve pas një tryeze të mbajtur më 21 shkurt 2024, “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar.
“Zoti Lajçak më ka dërguar ftesën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua, por kësaj radhe mendoj se ai ka shkelur parimet që i ka vendosur vet për arsye se është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim të palëve dhe është munduar edhe ta përcaktojë agjendën, për kundër parimit që e ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset pa dakordim të palëve. Por ftesa ka ardhur në adresën time”, deklaroi po atë ditë Beslimi i cili tha se ka refuzuar ftesën e Brukselit për tu ulur në tryezën e Lajçakut.
E një muaj më vonë, kjo deklaratë e Bislimit bie poshtë, duke e gjetur atë në një takim në Bruksel pikërisht për çështjen e dinarit, gjë që në të gjitha deklarimet e tij, ai ishte shprehur i vendosur se një temë e tillë nuk i takonte assesi ekipit kryenegociator që drejtohet nga vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Krahas Bislimit, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se dinari s’mund dhe s’do të diskutohet në dialog, meqenëse sipas tyre ky është një vendim i organit të pavarur siç është BQK-ja. Madje edhe në takimin e fundit në Bruksel delegacionit të Kosovës i priu Guvernatori i BQK-së.
Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore të re, e cila e përcaktoi euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Rregullorja, rrjedhimisht, ndaloi përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë paralelisht pranon pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pagat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë. Rregullorja shkaktoi zemërim në mesin e serbëve, por edhe te bashkësia ndërkombëtare. Kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.
Autoritetet tashmë po tregojnë shenja të zmbrasjes, derisa BQK-ja ka thënë se do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e saj, por jo më gjatë se tre muaj./Reporteri.net/