Pas përshkallëzimit të sërishëm të tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së, çmimi i naftës është rritur nga dita në ditë.

Të dielën litri është shitur deri në 1.64 euro, 1 centë më shtrenjtë se të shtunën, e 14 centë më shtrenjtë sesa javën e shkuar.

Ndërkaq, 1.46 euro është tregtuar litri i benzinës e 60 centë ai i gazit.

Reklamë

Nga Ministria e Industrisë kanë thënë se po vazhdojnë me realizimin e inspektimeve për të monitoruar respektimin e çmimit tavan.

“IQMT në vizitat inspektuese së bashku me inspektorë nga ATK kanë evidentuar çmimet e derivateve dhe në bazë të Raporteve nga Inspektorët e ATK-së, IQMT ndaj disa Operatorëve që nuk kanë respektuar Vendimin lidhur me çmimin tavan, ka iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse. Lëndët në këto raste vendosen nga Gjykatat Themelore, varësisht nga aspekti gjeografik i Operatorëve ekonomik”, kanë thënë nga Ministria e Industrisë.

Në muajin mars dhe prill të këtij viti, çmimi i naftës pati arritur deri në 1.89 euro për litër, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Krahas tij, janë shtrenjtuar edhe një sërë shërbimesh për qytetarët, përfshirë biletat e transportit ndërurban. /Koha.net