Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se sa herë e kalon kufirin, ndalohet nga policia kufitare serbe dhe mbahet me raste deri në një orë, pa ndonjë arsye apo justifikim.
Lidhur me këtë situatë, kryetarja ka shkruar se një trajtim i tillë është i papranueshëm, teksa e cilësuar si formë presioni dhe diskriminimi, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi. Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar hapur krijimin e një ‘liste të zezë – blacklist’ të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë. Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Po ashtu, ajo ka pretenduar se Vulin e ka krijuar këtë listë për të frikësuar ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve.
“Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, ka shkruar Sinani.
Ky reagim nga Sinani erdhi pasi zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pranuar se ka krijuar “një listë të zezë” ku janë personat që konsiderohen të padëshiruar nga Qeveria e Serbisë.
/Reporteri.net/.