×
  • Lajme
  • Lajme

    Përparim Kryeziu emërohet sërish zëdhënës i qeverisë së Kurtit

    Reporteri
    28 Mars 2021 | 14:22

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kthyer Përparim Kryeziun në pozitën e zëdhënësit të Qeverisë. Detyrën e komunikimit me media, Kurti ia ka besuar sërish ish-anëtarit të shoqërisë civile, i cili kishte pozitë të njëjtë edhe në Qeverinë Kurti 1.


    Pozitën e zëdhënësit, Kryeziu e pati edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë detyrë, ai u angazhua pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1.

    Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryeministrit:

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë.

    Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe të Organizatës. Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile, të financuar nga Komisioni Evropian i BE-së.

    Studimet bachelor në Sociologji Kryeziu i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vitin e fundit të të cilave e ka ndjekur në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si përfitues i bursës JoinEU-SEE, të financuar gjithashtu nga Komisioni Evropian.

    Ai ka qenë edhe bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Për afër tre vjet ka qenë aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar si asistent hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

    Kryeziu ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti I, dhe vitin e fundit ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!