Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përjetuar sot një përkeqësim të gjendjes shëndetësore, shkaku i virozës.
Gazeta online Reporteri.net merr vesh se Rama të enjten ka kërkuar edhe ndihmë urgjente mjekësore, shkaku i komplikimit shëndetësor dhe aktualisht është duke u trajtuar me infuzion.
Merret vesh se trajtimi i tij po bëhet në shtëpinë e tij, dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet serioze.
Prej ditësh, Përparim Rama është paraqitur me shenja të dukshme të gripit, por përkundër saj kandidati i LDK-së për mandatin e dytë në Prishtinë nuk i ka ndalur aktivitetet elektorale.
Sot në mbrëmje, Rama e ka të konfirmuar paraqitjen në debatin final për Prishtinë, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin. Debati televiziv mes Kryetarit të Prishtinës dhe kundërkandidatit nga LVV-ja Hajrulla Çeku parashihet të nis prej orës 20:30 në RTV Dukagjini.