Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kreut të partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas humbjes së thellë që pësoi ky subjekt në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Përveç Mustafës, dorëheqje kanë dhënë edhe të gjithë anëtarët tjerë të kryesisë së partisë, shkruan Reporteri.net.
Këtë e bëri të ditur nënkryetari, Lutfi Haziri, para medieve duke thënë shkurt se nuk ka emra për kreun e ri të partisë, pasi që tashmë janë kryesi në dorëheqje.
“Nuk ka të bëjë me emra. Kryetari e tha, ne jemi kryesi në dorëheqje”, tha Haziri, kur është pyetur nëse do të jetë ai kryetari i ri i LDK-së.
LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.
Kur janë numëruar 99.23% të votave, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%.
Ndërkaq LVV vazhdon të prijë. Aktualisht, LVV numëron 376 mijë e 933 vota, apo 47,88%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga PDK-ja në vend të dytë, e cila aktualisht ka marrë 136 mijë e 681 vota apo 17,36%. /Reporteri.net