Petkovic i reagon Vjosa Osmanit pas deklaratës për kufijtë e Republikës së Kosovës

Petar Petkovic, drejtor i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, i ka reaguar ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundi në një reagim në tëitter për hartën e Lajçakut ka thënë se për kufijtë aktual të Kosovës shumë gra, burra e fëmijë janë vrarë nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit.


Ai e ka pyetur Osmanin se pse duhet të jetë e shqetësuar për një hartë të thjeshtë nëse Kosova është shtet i pavarur.

Petkovic i cili në pozitën që mban është emëruar nga Aleksander Vuçiq si ish-ministri i propagandës së Sllobodan Millosheviqit, i ka reaguar Osmanit edhe për deklaratën rreth krimeve gjenocidale serbe.

Siç ka shkruar ai, “është qesharake që Osmani akuzon Serbinë për krime, derisa liderët e Kosovës janë në Hagë për krime monstruoze kundër serbëve”.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13.500 njerëz. Këto të dhëna jepen nga institucione të ndryshme në Kosovë, por, më së miri janë të evidentuara nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare, të prezantuara në Librin e Kujtimit të Kosovës (LKK) mbi të gjitha viktimat e luftës në Kosovë nga të gjitha etnitë.

Sipas kësaj organizate gjatë luftës në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsej 13.535 njerëz. Kjo shifër është nxjerrë në bazë të analizës së 31.600 dokumenteve nga burime të ndryshme, në mesin e tyre edhe nga një numër i madh i deklaratave të viktimave dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës.

Në numrin e të vrarëve, shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të viktimave, me 10.812, serbët 2.197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.