Në objektin ku ishte e vendosur komuna paralele në Zveçan, e cila u mbyll të premten në një aksion të Policisë së Kosovës, është vendosur një pllakë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Siç raportojnë mediat serbe të veriut, para këtij objekti ku funksiononin strukturat paralele, janë vendosur mbishkrimet zyrtare “Komuna e Zveçanit” dhe “Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës – Agjencia për Regjistrim Civil”.
Pllaka të ngjashme të ministrive të Kosovës janë vendosur gjatë fundjavës në objektet e institucioneve serbe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Leposaviq.
“Punonjësit e autoritetit të përkohshëm kërkuan të kthehen në vendet e tyre të punës dhe institucioni i Kosovës për patentë shoferë tashmë ishte vendosur atje”, ka raportuar Radio Kontakt Plus.
Po ashtu u raportua se “punëtorët e punësuar në Autoritetin e Përkohshëm të Mitrovicës, Fondit të PIO, Zyrës për Kosovë dhe Qarkut të Mitrovicës kanë tentuar dje dhe mëngjesin e sotëm të hyjnë në vendet e tyre të punës, por qasja e tyre është penguar nga policia e vendosur para këtyre objekteve. Policia njoftoi punonjësit se hetimet e kryera nga prokuroria janë në vijim”.
Për të dytën ditë, punonjësit e institucioneve paralele serbe kanë protestuar para objekteve ku gjendeshin këto institucione.
Protestuesit thanë se tubimi i tyre është paqësor dhe përsëritën se administrata e kësaj komune, që Kosova e konsideron ilegale, ka ofruar shërbime për të gjithë qytetarët.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.