Policia e Kosovës ka njoftuar se po e heton rastin e vdekjes së një gruaje në Podujevë, e cila vdiq rrugës për në QKUK, pasi dyshohet se është sulmuar nga qentë endacakë.
Siç njofton Policia e Kosovës viktima fillimisht është dërguar në QKMF në Podujevë, e më pas pas përkeqësimit të gjendjes është nisur për në QKUK, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Me vendim të prokurori, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion.
“Obrançë, Podujevë / 26.02.2025 – 14:00. Nga QKMF është raportuar se viktima femër kosovare është duke marr tretman mjekësor pasi që dyshohet se është sulmuar nga qenët endacak, dhe të njëjtës i është keqësuar gjendja dhe rrugës për në QKUK ka vdekur. Me vendim të prokurori, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se viktima pësuar sulm në zemër nga frika nga qentë që po e ndiqnin.
Këtë e konfirmoi shefi i Urgjencës në Podujevë, Arben Beqiri.
“Rasti ka qenë në emergjencë dhe ajo ka vdek si pasojë e sulmit në zemër, si pasojë e frikës, nuk ka pasë kafshim. Qentë e kanë ndjek, për shkak të frikës, ka qenë e moshuar, ka pësuar sulm në zemër. Megjithëse, ne e kemi rianimu, e kemi kthy prapë në jetë mirëpo pas gjysmë ore ka vdekë”, tha ai. /Reporteri.net/
Vdes e moshuara në Podujevë pasi pësoi sulm në zemër nga frika e qenve që e ndoqën