Policia në Gjilan ka shpëtuar një person i cili kishte vështirësi në frymëmarrje si pasojë e erës së rëndë të shkaktuar nga derdhja e një substance me përmbajtje kimike brenda automjetit të tij.
Rasti ka ndodhur dje, rreth orës 23:55, në rrugën “Ibrahim Rugova” në qytetin e Gjilanit.
Zëdhënësit i Policisë Rajonale të Gjilanit, Valon Osmani, ka deklaruar për Reporteri.net se një patrullë gjatë kontrollit rutinë të automjeteve, ka vërejtur një person të vitit të lindjes 1977, i cili ndodhej i vetëm në veturë dhe kishte shenja të dukshme të problemeve shëndetësore.
“Problemet dyshohet se janë shkaktuar nga derdhja aksidentale e një shisheje me përmbajtje kimike (HCL) në automjet, që ka lëshuar erë të rëndë dhe ka ndikuar në gjendjen shëndetësore të drejtuesit të veturës”, tha Osmani.
Ai tha se zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë duke i ofruar ndihmën e parë dhe duke njoftuar ekipin emergjent.
“Mjekët kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe i kanë ofruar ndihmën e nevojshme personit në fjalë. Falë reagimit të shpejtë të Policisë dhe ekipeve emergjente, gjendja e personit është stabilizuar”, ka deklaruar Osmani.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje mbi rrethanat e derdhjes së substancës kimike dhe po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.