×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja Osmani ia dorëzon urdhrin “Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

    Reporteri
    16 Gusht 2022 | 16:06

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Sali Çekaj, të cilin ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2005.

    Në një ceremoni me familjarë të heroit Sali Çekaj, Presidentja Osmani ka theksuar se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe shtrihej në shumë kohë e drejtime.

    “Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Sali Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta. Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Sali Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Sipas saj, ai ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës, që në fillet e para të organizimit institucional të formacioneve të armatosur të Republikës së Kosovës dhe në organizimin dhe shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Sali Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”, theksoi Presidentja Osmani.

    Ndërkaq familjarë të heroit Sali Çekaj falënderuan Presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!