
Presidentja Vjosa Osmani nuk po merret ende me propozimin e Këshillit Prokurial për ta dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit. Ky propozim iu dorëzua asaj tash e gjashtë muaj.
Sot, Presidentja tha se e ka njoftuar KPK-në të mos presin dekretim nga ajo.
“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, ka thënë ajo para mediave, pas një ngjarjeje në aksin rrugor tek Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuse, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Prokurori Shqipdon Fazliu, kandidat për Kryeprokuror të Shtetit ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, avokati i tij, Flakron Sylejmani.
Pretendimet e prokurorit Shqipdon Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, nga KPK’ja, muajin e kaluar i kishte hedhur poshtë Gjykata e Apelit.
Shqipdon Fazliu bashkë me kandidatin tjetër për kryeprokuror Armend Hamitin, për të njëjtin rast ishin ankuar edhe në Gjykatë Kushtetuese, por Kushtetuesja në korrik të këtij viti e kishte shpallë të papranueshme kërkesën e tyre, pasi kishte vlerësuar se parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike.
KPK-ja më 6 prill 2022 kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit funksionon me ushtrues detyre, pasi Presidentja e vendit ende nuk e ka dekretuar shefin e ri të Prokurorisë së Shtetit.