×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e KiE dhe Asociacionit

    Profesori amerikan Ben-Meir thirrje Kurtit që të kërkojë garanci nga BE-ja që Asociacioni nuk çon në shkëputje territoriale

    Autor:Fortuna Shkodra Haliti
    11 Maj 2024 | 11:00

    Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net ka folur rreth pengesave dhe përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kushtin që tashmë shtetet perëndimore ia kanë vënë asaj, Asociacionin.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka hedhur poshtë këtë kusht me arsyetimin se nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës.

    Kurti, tha se “çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

    Ben-Meir i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të kërkojë nga BE-ja garanci që Asociacioni të krijohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se krijimi i Asociacionit nuk do të çonte në shkëputje territoriale.

    Shtoi gjithashtu se sheh një frustrim të shtuar te ndërkombëtarët prej kur ka ardhur Kurti në pushtet, dhe kjo, sipas Ben-Meir, sepse ata e ndjejnë fuqishëm se çështjen e Asociacionit po e bllokon ai dhe se vetëm Kosova mund ta zgjidhë.

    “Në përgjithësi, BE-ja dhe SHBA-ja kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të përkushtuara për pavarësinë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Duke thënë se, që kur Kurti erdhi në pushtet, ata janë më të frustruar me të për shkak të mungesës së progresit në lidhje me Serbinë, dhe në një farë mënyre e fajësojnë atë. Ata ndjejnë fuqishëm se kjo çështje e veçantë (Asociacioni i Komunave Serbe) është blloku kryesor dhe vetëm Kosova mund ta zgjidhë atë”, tha Ben-Meir.

    Profesori amerikan, tha se Asociacioni, ashtu siç është rënë dakord për të para 11 vitesh, duhet të themelohet.

    “Unë besoj, siç e kam thënë shumë herë në të kaluarën, se nëse Kosova dëshiron të anëtarësohet përfundimisht në BE, duhet të bëhet përparim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sado i vogël. Kryeministri Kurti duhet t’u përmbahet kërkesave të BE-së për këtë çështje të veçantë. Që ai të jetë i sigurt se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të çojë në shkëputjen e këtyre komunave, ai mund të kërkojë nga BE-ja që të garantojë që përderisa Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Kurti është brenda të drejtave të tij për të siguruar që këto komuna të mbeten pjesë integrale e territorit sovran të Kosovës”, u shpreh ai.

    “Besoj se mund të bëhet (Asociacioni), dhe sigurisht që duhet bërë sepse është një hap shumë i rëndësishëm që mund të çojë në progres në procesin e integrimit të Kosovës në BE”, tha profesori amerikan Ben-Meir.

    Intervistën e tij të plotë me Gazetën Online Reporteri.net mund ta lexoni KËTU.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!