×
  • Lajme
  • Lajme

    Projektligji për KPM-në cilësohet si kontribuues në shuarjen e mediave të komuniteteve

    Reporteri
    25 Mars 2024 | 13:55

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Forumi për Integritet të Informacionit kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Sipas tyre me këtë Projektligj, Qeveria lehtësisht do t’i kap mediat dhe do të kontribuojë në shuarjen e disa mediave të komuniteteve.

    Në dëgjimin publik të hënën rreth këtij projektligji, u kërkua që projektligji të ndryshohet.

    Flutura Kusari nga Forumi për integritet të informacionit ka thënë se nëse nuk ndryshon ky projektligj, e lehtëson kapjen e mediave nga partitë.

    Sipas Kusarit, nëpërmjet këtij projektligji, së shpejti skena mediale mund të jetë e mbushur me “TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”.

    “Një prej shqetësimeve kryesore tona është që nëse projektligji nuk ndryshon, atëherë partitë apo bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio… një gjë e tillë nënkupton se për një kohë të shkurtë do të kemi skenë mediale të mbushur me TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”, ka thënë ajo.

    Sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, projektligji për KPM-në do të çonte në shuarjen e disa mediave të komuniteteve.

    “Ky do të çonte në shuarjen e shumë mediave të komuniteteve, jo vetëm në gjuhë serbe, por edhe në gjuhën rome e kështu me radhë”, ka shtuar ai.

    Visar Hoti nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) ka deklaruar se tregu medial në Kosovë është i monopolizuar.

    “Nuk na ka pëlqyer fare që mediat në projektligj janë vetëm biznese. Së pari, tregun medial e kemi të monopolizuar dhe të koncentruar. Ligjin për Digjitalizim e kemi që nga viti 2015, por nuk është marrë ndokush me të pas marrëveshjes për stabilizm-asocim. Problemi është që nuk e ka adresuar mirë koncentrimin, nuk e parandalon monopolin. Këtij ligji duhet t’i shtohet një kapitull. KPM-ja nuk ka mekanizma për ta rregulluar tregun, nuk ka mekanizma të analizës, s’ka mekanizma të rregullimit. Kur ndryshohet pronësia (pa leje prej KPM-së) gjoba maksimale është 5000 euro”, ka shtuar ai.

    “Biznese janë edhe arti, biznese janë edhe sporti, por ato po e gjejnë mbështetjen prej fondeve publike. Mediat lokale dhe rajonale nuk janë vetëm. Nëse e merr licencën në emër të ‘Kosovo Metohisë’ është njëfarë piraterie. Po kërkoj nga ju si komision që ta ndalni inkuizicionin ndaj anëtarëve të KPM-së…Ju po e fajësoni trenin se po ecë nëpër binarët e vet”, ka deklaruar Hoti, duke bërë thirrje që ky ligj të ndryshohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!