×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokurori Smith mirëpret vendimin e Gjykatës Speciale, thotë se do angazhohet t’i hetojë me vigjilencë aktet e ngjajshme

    Reporteri
    18 Maj 2022 | 17:26

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e shqiptuar ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

    Përmes një komunikate për media, Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka quajtur të drejtë dënimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” tha Prokurori i Specializuar. Ashtu siҫ u deklarua sot nga Trupi Gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli. Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot,” tha Smith.

    Tutje, ai ka ripërsëritur se do të punojë e të angazhohet me vigjilencë për të hetuar raste të ngjajshme të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, ka thënë ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!