Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore, kundër dy personave të nacionalitetit serb, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovës kanë kryer vrasje, torturë, trajtim cnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Prishtinë, 1 shtator 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy të pandehurve M.P dhe Zh.Z, të nacionalitet serb, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Të pandehurit akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më tej, bëhet e ditur se përmes hetimeve është zbuluar se gjatë periudhës kohore për këtë aktakuzë, janë vrarë rreth 250 persona, e madje pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitetit shqiptar,
“Po ashtu të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj. Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”, thuhet tutje.
Teksa në përfundim, thuhet se kjo cështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme./Reporteri.net/.