Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të nisin hetimet për grumbullimin e djeshëm të mbi 500 përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin kryesor të Prishtinës me arsyetimin se po bënin prova për protestë.
Sipas partisë që drejton Isa Mustafa një organizim i tillë është lejuar në kohën kur rastet me COVID-19 po rriten dhe kur ka paralajmërime se lehtësimi i masave mund të shtyhet.
“Në ditët kur beteja me COVID-19 u sfidua me rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve dhe kur institucionet paralajmërojnë se mund të shtyhet lehtësimi i masave kufizuese, në sheshin kryesor të Prishtinës, të rrethuar me shirita policor, që janë vendosur për të mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, Qeveria e shkarkuar e Kosovës, Policia e Kosovës, si dhe Komuna e Prishtinës, lejuan një manovrim skandaloz të një partie politike”, thuhet në reagimin e LDK’së.
LDK thotë se një tubim i tillë i militantëve partiakë po bëhet duke u fshehur prapa organizata të shoqërisë civile dhe konsiderojnë se një aktivitet i tillë është presion mbi gjykatat dhe tregues se ka tendencë për kapjen e shtetit.
“Kjo provë e protestës së rreth 500 militantëve partiakë, të fshehur prapa organizatave të shoqërisë civile, përveç se është tregues i qartë i ndërhyrjes dhe presionit mbi gjykatat e pavarura të vendit, është demonstrim real i tendencës për kapjen e re të shtetit dhe të organeve kushtetuese të vendit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK’së.
Reagimi i plotë i LDK’së:
Derisa, ditëve të fundit, në gjithë territorin e vendit janë arrestuar qindra qytetarë për mos respektim të masave, duke u gjobitur, prangosur e arrestuar familjarë, bujq e fermerë, të martën në Prishtinë, heshtën Qeveria, Policia e Shpend Ahmeti. Heshtën ata që me dhjetëra herë u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat.
Është e papranueshme që të lejohet një tubim i tillë masiv, në kohën kur asnjë vend në botë nuk lejon grumbullime të tilla. Është e papranueshme, që qytetarët të arrestohen për të njëjtat veprime, e të heshtet për militantët e aktivistët e partisë në pushtet.Qeveria e shkarkuar e Kosovës, nga dje nuk ka më asnjë arsye të thërras qytetarët për respektim të masave kundër COVID-19.
Qeveria në ikje, nga dje ka zgjedhur ikjen nga përgjegjësia. Nga dje, interesat partiake, ajo i ka vendosur mbi interesin e shëndetit publik, në të cilin është thirrur shumë kohëve të fundit. Qeveria në ikje, me vetëdije të plotë, dje ka shkelur masat të cilat vet i ka vendosur, sikur që për qëllime të veta shkeli dy herë Kushtetutën e vendit, si dhe me vetëdije të plotë anashkaloi Kuvendin e Kosovës.
Rasti i tubimit masiv, nuk duhet të heshtet, andaj LDK kërkon hetohim të pavarur e të drejtë, në mënyrë që përgjegjësit duhet të vihen para përgjegjësisë. Kosova duhet të udhëhiqet bazuar në normën e vet kushtetuese. Pavarësisht kërcënimeve për destabilizim të një partie politike, e cila edhe ashtu s’ka bërë ndonjë gjë tjetër për Kosovën.
LDK është e sigurt se as kësaj radhe, askush nuk do mund ta ndalë rrugëtimin transformues të Kosovës, ashtu siç nuk ka mundur ta ndalë asnjë proces që e ka sjellë Kosovën këtu ku është. Shtet me aspirata integruese euro-atlantike.