Partia Socialdemokrate ka reaguar ndaj lajmeve se Kabineti i Kryeministrit Albin Kurti ka refuzuar ta ndriçojë ndërtesën e Qeverisë me flamurin e LGBTI-së.
Nga kjo parti, që ka dalë nga Vetëvendosje, thonë se kjo tregon se Kurti reagon vetëm kur është në pyetje vota, shkruan Reporteri.
Partia Socialdemokrate ka akuzuar Kurtin madje, se këtë sjellje ndaj LGBTI po e bën për të ruajtur ‘votat e homofobëve’ përkrahës, shkruan Reporteri.
Kjo është komunikata e plotë:
Për gjashtë vite më rradhë, dritat me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBTQI janë ndriçuar nga objekti i qeverisë si shenjë solidariteti ndaj padrejtësive që i ndodh këtij komunitetit në baza ditore e në mënyrë sistematike e kulturore.
Sot, pas 6 viteve qeveri plotësisht të djathta, Vetevendosje, një parti e supozuar si e majtë e progresive, dhe Kurti si udhëheqës i saj nuk po projekton flamurin e komunitetit LGBTQI mbi objektin e qeverisë. Bile, as nuk dolën në Paradën e Krenarisë që u mbajt sivjet. Përgjatë tërë kohës në krye të qeverisë, Kurti ka ikur nga tema të cilat nuk i përkthehen në vota. Si rrjedhojë, oportunizmi politik çdo herë rëndon më tepër në kurrizin e grupeve dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Një gjë e tillë ka vetëm një kuptim. Vetëvendosje nuk është as e majtë, as progresive e as liberale. Është parti që kap çka të mundet vetëm e vetëm për vota e asnjëherë për parime. Për t’i mbajtur anëtarët e saj homofobë nën ombrellën e vet, domethënë për hatër të tyre, Vetëvendosje e Kurti e hudhin poshtë një traditë që kishte nisur prej qeverive që as nuk pritej ta zbatonin.
Komuniteti LGBTQI+ nuk mund të mohohen dhe as përdhosen. Ky komunitet është pjesë e esenciale e shoqërisë tonë dhe si e tillë ka të drejtë dhe na detyron të gjithëve, duke përfshirë qeverinë në detyrë, që t’i trajtojmë me dinjitet dhe kërkesat e tyre, qofshin edhe ato simbolike si shpërfaqja e flamurit në objektin e qeverisë, t’i plotësojmë pa kushte në mënyrë që të kontribuojmë në emancipimin e shoqërisë dhe të luftojmë homofobinë e paragjykimet e tmerrshme të cilat i mvishen këtij komuniteti.