×
  • Lajme
  • Lajme / Veri

    Punonjësit e strukturave paralele protestojnë sërish, kërkojnë lirimin e ndërtesave të mbyllura nga autoritetet e Kosovës

    Reporteri
    03 Shtator 2024 | 9:13

    Grupe qytetarësh serbë janë mbledhur edhe sot përballë ndërtesave të institucioneve paralele të Serbisë në veri, pak ditë pasi autoritetet i mbyllën ato institucione mes kritikave perëndimore për veprime të pakoordinuara.

    Është dita e dytë që këta punëtorë kanë tentuar të kthehen në zyra. Ata protestuan edhe gjatë ditës së hënë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Autoritetet në Kosovë thanë javën e kaluar se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

    Mbyllja u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që tërhoqën vërejtjen në atë që e cilësuan vazhdimësi të veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara të autoriteteve të Kosovës.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano tha sot se hapat e Prishtinës zyrtare mund çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës tashmë të paqëndrueshme në terren.

    “Bashkimi Evropian, çfarë do të bëjë? Natyrisht, ne jemi duke përcjellë qëndrimin dhe shqetësimin tonë me këtë varg hapash të njëanshëm të pabashkërenduar, te autoritetet e Kosovës në Prishtinë. Vitin e kaluar ne kishim përfundimet e Këshillit Evropian në të cilat vendet anëtare ishin shumë të qarta. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, tha ai.

    Reagim të ashpër pati edhe SHBA-ja.

    Në reagimin e tyre, u tha se veprimet e fundit nuk janë në përputhje me premtimet e bëra nga Qeveria për koordinim.

    Ata ia kanë përmendur Kurtit premtimin se do të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar” dhe kanë paralajmëruar se “veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, u tha në reagim.

    Qeveria amerikane ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me atë që e kanë cilësuar si veprime të vazhdueshme të pakoordinuara nga Qeveria e Kosovës.

    Në reagimin amerikan thuhet se Qeveria ka instumentalizuar Policinë e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, u tha në reagim. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!