Kryeministri Albin Kurti është pyetur sot në lidhje me kritikat që presidenti Emmanuel Macron i bëri ndaj Qeverisë së Kosovës për hapa të njëanshëm në veri të vendit.
Kurti tha shkurt se Kosova do bashkëpunim të ngushë dhe mbështetje ndërkombëtare, përfshirë edhe të Francës derisa shtoi se ka sundim ligji krahas paqes.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, ka thënë Kurti para mediave.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vizitën e tij të zyrtare në Serbi gjatë së enjtes, ka përmendur Kosovën, por jo për të mirë.
Macron tha se është i shqetësuar me hapat e njëanshëm të Kosovës, të cilët tha se nuk dërgojnë sinjal të mirë.
“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, ka thënë Macron.
Ai theksoi se Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai tutje. /Reporteri.net/
Macron: Të shqetësuar për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës, nuk dërgojnë sinjal të mirë