×
  • Lajme
  • Lajme / DPT te Fidani

    Qalaj fajëson KFOR-in dhe AKI-në për sulmin terrorist: Janë përgjegjës për sigurinë, këtë punë e kanë

    Reporteri
    29 Shtator 2023 | 0:02

    Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka fajësuar KFOR-in dhe AKI-në për dështimin në parandalimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Në emisionin DPT te Fidani, ai tha se KFOR-i është përgjegjës për kufirin me Serbinë, dhe se ky rast është dështim i madh nga ana e tyre, shkruan Reporteri.net.

    “Me gjithë respektin që e kam për forcat e KFOR-it, duke e ditur që janë përgjegjës për kufirin, është një dështim mjaft i madh i tyre. Dhe ata i kanë mundësitë teknike shumë më të avancuara”.

    Qalaj: Institucionet e Serbisë po përgjonin afër Banjskës kur ndodhi sulmi terrorist

    Ndërsa për AKI-në, tha se parandalimi i rreziqeve është edhe detyrë primare, ndaj të njëjtit duhet të kenë pasur informacione se çka po ndodh.

    “Konsideroj se është dështim edhe i Agjencionit të Inteligjencës. Se ata e kanë qet punë. Ata e kanë punë që t’i parandalojnë rreziqet ndaj Kosovës dhe është dashtë ta kenë informatën për këtë që ka ndodh”.

    “Policia e Kosovës e ka Drejtorinë për inteligjencë mirëpo ajo është inteligjencë kriminale, me marrë informata për rastet që kanë ndodh, për grabitjet, për vrasjet, dhe nëse munden edhe informata të tjera. Mirëpo, kur Policia e Kosovës t’i përfundojë hetimet, do ta dinë saktë se kur kanë hy [terroristët], e si kanë hy”.

    Qalaj bëri thirrje që ky dështim të merret si mësim për hera të tjera.

    “Edhe KFOR-i, edhe AKI-ja edhe Policia duhet të jenë shumë shumë të kujdesshëm. Ta shohin se si ka dështu kjo punë, si kanë hy ato armë, të nxjerrim mësimet se çka u bo që s’patën informacion”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!