Rashit Qalaj, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputeti i PDK-së, ka deklaruar në emisionin DPT te Fidani, në ATV, se institucionet e Serbisë ishin afër Banjskës në kohën kur ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
Këtë, tha Qalaj, e ka konfirmuar vetë Vuçiqi kur u deklarua para qytetarëve serbë e tha se i kanë përgjuar policët, gjë që s’do të ishte e mundur në një distancë të largët, shkruan Reporteri.net.
“Me të gjitha reagimet që janë bo, edhe në Kosovë nga Lista Serbe, edhe në Serbi nga presidenti serb, me shpalljen e ditës së zisë, me homazhe për terroristat duke i quajtur heronj, tregon se shteti serb ka qenë pjesë e skenarit, e ka hartuar dhe mbështet. Mos të harrojmë, Presidenti i Serbisë, kur iu ka drejtu popullit të Serbisë, ka bërë të qartë se ka qenë i involvuar edhe pse është munduar që t’ua bartë serbëve lokalë. Mirëpo, ai ka thënë se organet e Serbisë e kanë interceptuar komunikimin mes policëve, ai vetë me gojën e tij. Tregon që institucionet e Serbisë kanë qenë prezentë në Kosovë. Nuk mund të bëhet përgjimi dhe interceptimi i komunikimit, qoftë me radio, në distancë të madhe, pra kanë qenë afër”.
Rreziku, sipas tij, është ende prezent.
“Po ka rrezik. Për shkak se e dimë që një pjesë e terroristëve kanë ikur, kanë kaluar në Serbi, por mund të kthehen prapë. Duke marrë parasysh sasinë dhe llojin e armatimit besoj fuqishëm që aty kanë pasë plan të kyqen shumë njerëz tjerë”.
Tutje, derisa foli për ndikimin e Radojiçiqit në sulm tha se asgjë në veri nuk ndodh pa dijeninë e tij, dhe se i njëjti mbështetet nga Presidenti Vuçiq.
“Nuk ndodh asgjë në veri pa mbështetjen e Radojiçiqit”.
“Absolutisht jo. Në çdo ngjarje të rëndësishme rreth Kosovës, sa herë është biseduar në Serbi te Presidenti ose në Rashkë, Radojiçiqi ka qenë prezent. Pra, asnjë veprim në veri nuk bëhet pa mbështetjen, organizimin e tij”.
“Edhe presidenti i Serbisë ka thënë ai do të jetë heroi i ardhshëm”, tha ai. /Reporteri.net/.