I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak sot ka takuar në Prishtinë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin. Emisari evropian tha para gazetarëve se me Bislimin kanë diskutuar për normalizim të marrëdhëneve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Ajo që diskutuam ishte edhe rregullorja e re e BQK-së, dhe arsyeja pse ne po diskutojmë janë disa dispozita në këto bisedime që janë relevante me dialogun. Për këtë shkak është shumë e rëndësishme që të diskutohet edhe kjo. Isha nikoqir i takimit të nivelit të ekspertëve në Bruksel gjatë javës së kaluar. Kemi gjetur përgjigjet e disa pyetjeve, por ka edhe pyetje të cilat shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe këto pyetje po i diskutonim me Bislimin”, tha Lajçak sot para gazetarëve.
Por, një qëndrim më ndryshe kishte zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai është shprehur i palëkundur nga qëndrimi i tij se çështja e dinarit nuk duhet të jetë pjesë e procesit të dialogut.
“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”, u bë e ditur në njoftimin e Qeverisë.
Më 21 shkurt, zëvendëkryeministri Bislimi pati treguar se emisari Lajçak i kishte dërguar ftesë për takim më 27 shkurt në Bruksel për çështjen e dinarit por një e tillë ishte refuzuar nga ai.
Siç kishte thënë Bislimi,emisari evropian i kishte shkelur parimet që i ka vendosur vetë, pasi sipas tij ishte hera e parë që ai kaishte caktuar një takim pa dakordim të palëve, parim ky i vendosur nga Lajçak në vitin 2021, që në agjendë të mos ketë tema të cilat paraprakisht janë vendosur nga palët.
/Reporteri.net/