Në korrik të këtij viti, ishte emëruar si ambasador nga presidenti Amerikan Joe Biden.
E sot, senati amerikan e ka konfirmuar emërimin e Jeffrey M. Hovenier për ambasador në Republikën e Kosovës.
Hovenier i cili zëvendëson ambasadorin Kossnet, kishte dhënë kontribut të çmuar në konferencën e Rambujes për Kosovën.
Ilir Ibrahimi analist politik thotë se kjo tregon që administrata Biden po e kthen vëmendjen kah Kosova.
“Procesi i konfirmimit ka qenë i pritur sepse ambasadori Hovenier është ambasador i karrierës dhe zakonisht këta lloj ambasadorësh konfirmohen lehtë në senatin amerikan”.
“Ky është një tregues që administrata po e rikthen vëmendjen e saj në rajon dhe kjo shpresoj të dërgon në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërsa në një përgjigje për RTK’në, qeveria e Kosovës ka thënë se do të bashkëpunoj ngusht me ambasadorin e ri amerikan në Kosovë.
“Ne e mirëpresim konfirmimin e emërimit të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier dhe i urojmë mirëseardhje në Kosovë. Me ambasadorin Hovenier do të vazhdojmë bashkëpunimin që kemi pasur me paraardhësit e tij duke pasur për synim thellimin gjithherë e më shumë të partneritetit të veçant dhe historik në mes dy vendeve tona”.
Ambasadori i ri amerikan Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Hovenier, pas nominimit për ambasador, kishte deklaruar se prioriteti i tij do të jetë vazhdimi i mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.