Ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se mbështetja e komunave në menaxhimin e pandemisë është prioritet.
Ai në debatin “Fol Hapur”, tha se janë në komunikim me komunat për ta parë gjendjen dhe kërkesat në mënyrë që të ndihmohen nga niveli qendror.
Krasniqi, tha se brenda 100 ditëshit do të përgatisim një dokument se çfarë duhet të punohet dhe ndikimin që pandemia ka pasur te komunat.
“Pandemia kërkon kujdes të veçantë, por kemi filluar dhe brenda 100 ditëshit do të përgatisim një dokument se çka është mangu dhe çfarë duhet të bëjmë lidhur me ndikimin që ka lënë pandemia në komunat”, tha ministri Krasniqi.
Por ky paralajmërim i ministrit të qeverisë Kurti për publikim të dokumentit për të pare si ka ndikuar pandemia në komuna është vetëm humbje kohe, pasi një dokument i tillë tashmë ekziston, dhe atë prej një viti, shkruan Reporteri.net.
Asociacioni i Komunave të Kosovës në maj të vitit të kaluar ka publikuar një studim të hollësishëm “mbi nevojat emergjente dhe ndikimin socio-ekonomik të COVID-19 në qeverisjen lokale në Kosovë”, studim ky i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC).
Ky studim, ndër të tjera, hedhë dritë në kërkesat që i janë drejtuar AKK-së nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Qëllimi i këtij studimi ishte të hulumtojë nevojat emergjente të komunave që duhen përmbushur në mënyrë që të menaxhohet dhe tejkalohet situata e krijuar nga pandemia COVID -19.