×
  • Lajme
  • Lajme / Televizion

    Qytetarët e mashtruar nga kabllorët sytë kah MINT’i – ARKEP’i kontradiktor, s’u ofron zgjidhje tani për tani

    Reporteri
    08 Janar 2024 | 15:18

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj operatorëve kabllorë të cilët mashtrojnë klientët e tyre me oferta për kanale televizive në gjuhen shqipe, të cilat disa ditë pas pa asnjë paralajmërim iu janë ndërprerë se transmetuari, duke i detyruar kështu të qëndrojnë në kontratë pa e marrë shërbimin e prezantuar në momentin e lidhjes së marrëveshjes për abonim. Për ankesat e qytetarëve, ARKEP, ndryshe nga një rast i ngjashëm më 2022, tash thonë se s’kanë kompetencë të japin zgjidhje tani për tani, por se kanë paralajmëruar se do të nxjerrin një rregullore të re që nuk ua ndalon më klientëve shkëputjen e kontratave me operatorët.

    MINT të premten ka njoftuar se po përcjell me shqetësim ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomik dhe ka siguruar se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi.

    Gazeta Online Reporteri.net gjatë javës së shkuar ka raportuar për rastin e platformës “Kujtesa” e cila nga 1 janari, pa asnjë paralajmërim, ndërpreu së transmetuari sinjalin e kanaleve shqiptare Top Channel, TV Klan dhe atyre të “Digitalb” e “Super Sport”.

    Më pak se një muaj më herët, me 12 dhjetor 2023, e njëjta platformë në treg kishte nxjerrë ofertën e fundit për abonime 1 vjeçare, në të cilat pjesë të platformës “i shiste” edhe kanalet “Digitalb”.

    Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip largohen nga platforma “Kujtesa” – kabllori “pushtohet” nga kanalet serbe dhe ato turke

    Pas largimit të kanaleve, platforma nuk u mundëson klientëve të saj të shkëpusin marrëveshjet e lidhura, përkundër se kanalet nuk iu ofrohen. Sikur “Kujtesa” kanë vepruar edhe operatorët tjerë kabllorë, “IPKO”, “ArtMotion” e “TelKos”, të cilët i ka prekur gjithashtu ndërprerja e marrëveshjes me Digitalb, duke u ndërprerë sinjalin e kanaleve sportive “SuperSport”.

    Për këtë, qytetarët të shumtë ankesa kanë drejtuar në MINT, ARKEP e KPM.

    “MINT/Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë ditëve të fundit ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi”, njoftoi Ministria të premten.

    Në vazhdën e reagimeve, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka konfirmuar të premten se tashmë ka marrë hapa drejt ndryshimit të Rregullores së vet, e cila aktualisht ua ndalon klientëve shkëputjen e kontratave me operatorët kabllorë.

    Ndonëse ARKEP thotë se nuk është institucioni kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve, mirëpo siç thonë ata, pasi kontratat mes operatorëve kabllorë dhe klientëve mbështeten në Rregulloren e ARKEP-it, atëherë ata e kanë parë të arsyeshme të veprojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

    “Në këtë drejtim, duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lartë dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet edhe kjo çështje dhe vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë kanalet televizive”, ka njoftuar ARKEP.

    “Ju njoftojmë se ARKEP ka përgatitur Rregulloren e re për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila ka kaluar procedurën e konsultimit publik dhe pritet të miratohet së shpejti. ARKEP përmes kësaj Rregullore ka dhënë një propozim konkret edhe për kontratat e kombinuara dhe lidhur me këtë jemi në proces të koordinimit me KPM në aspekt të harmonizimit të akteve/rregulloreve të dy Autoriteteve, duke u mbështetur në kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse”, thuhet në reagimin e Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

    Megjithatë, reagimi i të premtes i ARKEP ku nder tjera potencon se “nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve”, del të jetë kontradiktor krahasuar me një reagim të të njëjtit institucionin të lëshuar më 6 maj 2022 në rastin e ngjashëm me këtë të fundit, me operatorin kabllor “IPKO”.

    Ndonëse nga atëherë ARKEP’it nuk i janë ndryshuar kompetencat, me 6 maj 2022, kur IPKO i kishte larguar pa asnjë paralajmërim kanalet “Digitalb” nga platforma e saj, ARKEP u kishte dhënë të drejtë qytetarëve t’i shkëpusin kontratat me IPKO’n pa asnjë pasojë, nëse nuk pajtoheni me ndryshimet e kushteve.

    Madje, AREKP atëkohë në një njoftim publik edhe i kishte cituar nenet e rregullore së saj që e mundësonte shkëputjen e kontratave.

    “Bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që: Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën”, njoftonte ARKEP me 6 maj 2022. Derisa, në njoftimin e fundit me 5 janar 2023 potencon vetëm se nuk ka kompetencë t’i trajtoje ankesat e parashtruara nga qytetarët për: Ndryshimet në përmbajtjen e kanaleve televizive nga operatorët e shpërndarjes; dhe kushtet për shkëputjen e kontratave për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike. /Reporteri.net/.

    Largimi i Top Channel dhe kanaleve “Digitalb”, rregullorja e ARKEP u jep të drejtë qytetarëve që t’i shkëpusin kontratat me operatorin

    ARKEP u jep të drejtë qytetarëve, kontratat me IPKO’n mund t’i shkëpusni pa asnjë pasojë, nëse nuk pajtoheni me ndryshimet e kushteve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!