×
  • Lajme
  • Lajme / Media

    Largimi i Top Channel dhe kanaleve “Digitalb”, rregullorja e ARKEP u jep të drejtë qytetarëve që t’i shkëpusin kontratat me operatorin

    Reporteri
    05 Janar 2024 | 14:49

    Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip të “Digitalb” e “SuperSport”, nga 1 janari pa asnjë paralajmërim për abonentët janë larguar nga “Kujtesa”, kompania e cila deri atë ditë ka bartur të drejtat e transmetimit të tyre në Kosovë. Ky veprim i kabllorit kosovar ka ndikuar edhe tek operatorët tjerë. Derisa klientëve të kabllorëve në Kosovë çdo ditë e më shumë kanalet në gjuhën shqipe po u zëvendësohen me kanale në gjuhën serbe. Largimi pa asnjë paralajmërim i kanaleve televizive nga ana e operatorëve kabllor del të jetë në kundërshtim me rregulloret në fuqi të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

    Në më pak se një muaj, “Kujtesa” në treg kishte nxjerrë ofertën e fundit për abonime 1 vjeçare, në të cilat pjesë të platformës “i shiste” edhe kanalet “Digitalb”. Pak ditë më vonë, pa asnjë paralajmërim, kanalet shqip u hoqën nga lista që i ofroi kabllori kosovar. Njëjtë ndodhi edhe në platformat tjera televizive që “Kujtesa” u shpërndante sinjalin e kanaleve “Digitalb”, “SuperSport”, Top Channel e TV Klan.

    Në të tilla raste kur ka ndryshim të listës së kanaleve, ARKEP në një rregullore të saj parash se abonentët e kabllorëve duhet të njoftohen paraprakisht. Gjë që në rastin e fundit nuk ka ndodhur, raporton gazeta online Reporteri.net.

    E njëjta rregullore, qytetarëve u jep të drejtën e ndërprerjes së kontratës për abonimin, në rastet kur nuk pajtohen me ndryshimet.

    5.2 Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën”, thotë rregullorja e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

    Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip largohen nga platforma “Kujtesa” – kabllori “pushtohet” nga kanalet serbe dhe ato turke

    Sikurse pika 2 e nenit 5, edhe ato 5.1 dhe 5.3 gjithashtu mundësojnë që klientët t’i shkëpusin kontratat e tyre me operatorin pas ndryshimeve në kontratë.

    5.1. Parapaguesit kanë të drejtë që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike”.

    5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve”.

    Po ashtu, e njëjta rregullore e ARKEP, konsumatorëve u jep të drejtën që të mund të shkëpusin kontratat me operatorët edhe kur janë plotësuar nëntë (9) muajt e parë prej datës kur është nënshkruar kontrata mes palëve.

    Se operatorët kanë të drejtë t’i shkëpusin kontratat pas ndryshimit të listës së kanaleve, si precedent është edhe rasti i IPKO’s në vitin 2022, kur platforma televizive kishte hequr nga përmbajtja e saj pikërisht kanalet “Digitalb” e “SuperSport”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    ARKEP në një njoftim të asaj kohës kishte njoftuar abonentët e IPKO’s e cila po ashtu kishte hequr pa paralajmërim kanalet nga platforma e saj, se “Bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që: Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve”.

    Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën”, thuhej në sqarimin e ARKEP të lëshuar me 6 maj 2022.

    ARKEP u jep të drejtë qytetarëve, kontratat me IPKO’n mund t’i shkëpusni pa asnjë pasojë, nëse nuk pajtoheni me ndryshimet e kushteve

    Pra, sipas atij njoftimi, kjo dispozitë zbatohet në raste kur ofruesi i shërbimeve ndryshon kushtet e kontratës në fushën e komunikimeve elektronike (shërbimet e telefonisë mobile, fikse dhe të qasjes në internet), kurse në rastet kur ofruesi i shërbimeve i zbaton kushtet e kontratës dhe konsumatori dëshiron të shkëpusë kontratën, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 5.7 te Rregullores, ku përcaktohet që:

    Ndërmarrësi mund të kërkojë kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 12 muaj, respektivisht 12 muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 24 muaj. Shuma e kompensimit të dëmit nuk mund të tejkalon tarifën e parapagimit mujor për periudhën e mbetur prej nëntë (9) respektivisht 12 muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores.

    Përkundër se rregullorja është e qartë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) po vazhdon të qëndrojë i heshtur ndaj ankesave të qytetarëve pas veprimit të fundit të operatorit “Kujtesa” që ka ndikuar edhe tek operatorët tjerë.

    Deri më tani ARKEP nuk ka dalë më asnjë sqarim publik. Madje, ARKEP ka injoruar edhe pyetjet e gazetës online Reporteri.net, nëse edhe në rastin e “Kujtesa” qytetarëve do t’u jep të drejtë t’i shkëpusin kontratat, pas ndryshimit të listës së kanaleve, sikurse kishte ndodhur në rastin e IPKO’s në maj të vitit 2022.

    Kanalet shqip u hoqën nga “Kujtesa”, “Digitalb” mbyll të gjitha spekulimet: Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha platformat televizive në Kosovë

    Kanalet shqip po largohen, ato serbe e turke po shtohen

    Për dallim nga ARKEP, Komisioni i Pavarur i Mediave, pas ankesave të shumta të qytetarëve, ka paralajmëruar platformat kabllore në Kosovë se “normativa ligjore e KPM-së parasheh një nivel të mbrojtjes se përdoruesve në rast të mos ofrimit të shërbimeve të parapara në kontratë”.

    KPM të mërkurën bëri të ditur se po trajton secilën ankesë veç e veç dhe për këtë mund të ndërmerren hapa ligjor, nëse operatorët e shpërndarjes kanë dështuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2020/01.

    “Komisioni i Pavarur i Mediave ka pranuar një numër të ankesave nga qytetarët në lidhje me mos-transmetimin e kanaleve televizive të DigitAlb nga operatorët e shpërndarjes. Për sqarim të opinionit, KPM nuk ka marr kurrfarë vendimi për ndërprerjen e kanaleve të DigitAlb, pasi që DigitAlb nuk është subjekt i licencuar pranë KPM-së dhe si i tillë ajo mund të sjellë platformën e saj programore vetëm përmes marrëveshjes me operatorët e licencuar pranë KPM-së. Duhet sqaruar se KPM nuk mund ta obligojë një platformë të huaj që të sjellë programet e veta në Kosovë, për faktin se kanalet janë objekt i marrëveshjes në mes të operatorëve të shpërndarjes dhe dhënësit të të drejtave”, ka sqaruar tutje KPM-ja në një njoftim publik që ka lëshuar të mërkurën.

    Largimi i Top Channel, TV Klan dhe kanaleve “Digitalb” e “SuperSport”, KPM del me një paralajmërim për kabllorët – ARKEP heshtë

    Pos kanaleve shqip të “Digitalb”, “Kujtesa” ka larguar edhe kanalet shqiptare “Super Sport”, duke shkaktuar kështu që disa nga ligat më të njohura të futbollit të mund të ndiqen nga abonentët e saj vetëm me komentim në gjuhen serbe përmes kanaleve të “Telekom Srbija” që janë brenda platformës.

    Për më tepër, KPM ka njoftuar se duke u bazuar në paqartësitë e krijuara se fundi në lidhje me të drejtat sportive, ka kërkuar sqarime edhe nga Premier Liga angleze në lidhje me të drejtat e transmetimit në Kosovë, me ç’rast kjo e fundit ka konfirmuar se të drejtat e transmetimit për Kosovë i kanë DigitAlb në gjuhën shqipe dhe Arena Sport në gjuhën serbe.

    “KPM e siguron opinion publik, me thekës të veçantë palët ankuese, se do t’i trajtojë me kujdes të gjitha ankesat, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren KPM-2020/01 dhe se palët do të njoftohen për veprimet e ndërmarra në lidhje me këto ankesa”.

    Gazeta Online Reporteri.net, të martën, ka raportuar se platforma “Kujtesa”, ndërkohë që dita-ditës po largon pa paralajmërime kanalet kryesore shqiptare – shumë të ndjekura edhe në Kosovë – përfshirë ato kombëtare si Top Channel e TV Klan, ato kohë pas kohe janë duke u zëvendësuar me kanale serbe dhe turke të cilat janë në numër të konsiderueshëm të listuara në këtë platformë.

    Në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët e Banjskës

    Madje, platforma “Kujtesa” e ka pjesë të listës së kanaleve të saj edhe televizionin shtetëror serb, RTS, që njihet si platformë mjaftë aktive në propagandën kundër shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndërkohë, në shtator të vitit 2023, pak ditë pas agresionit serb në Kosovë përmes rastit të Banjskës, kanalet serbe “Arena Sport” që transmetoheshin edhe nga “Kujtesa”, kishin shfaqur një mesazh kërcënues për vendin.

    “Do të mbajmë mend”, thuhej në spotin e prezantuar nga kanalet serbe që jepeshin edhe në “Kujtesa”, ndërsa po ashtu nuk mungonin as lavdet për terroristët serbë që u vranë në aksionin e Policisë në Banjskë të Zveçanit, pasi grupi i armatosur vrau policin Afrim Bunjaku.

    Në spot shkruhej edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti. Pas këtij skandali, KPM-ja ndaloi transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë. Por vetëm pak javë pas kanalet u kthyen në “Kujtesa” dhe platforma tjera nën një emër tjetër “Balkan Sport”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë, pasi shfaqën spotin kërcënues në serbisht

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!