×
  • Lajme
  • Rajon

    Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 12:53

    Mijëra persona janë mbledhur të premten në Srebrenicë të Bosnje-Hercegovinës për të shënuar 30-vjetorin e aktit të njohur të vetëm të gjenocidit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

    “E gjitha është ngulitur përgjithmonë në kujtesë”, ka thënë Adem Mehmedoviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

    Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari do të varrosen shtatë viktima të gjenocidit. Viktimat më të reja janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995.

    Përveç tyre, do të varrosen edhe Rifet Gabeliq, Hasib Omeroviq, Sejdalija Alliq dhe Amir Mujçiq. Viktima më e moshuar, dhe e vetmja grua që do të varroset këtë vit, është Fata Bektiq, e cila ishte 67 vjeç në korrik të vitit 1995.

    “Pa mbështetjen e Serbisë nuk do të kishte gjenocid”

    Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq ka thënë se 30 vjet kanë kaluar prej gjenocidit, i cili ka qenë “kulmi i agresionit barbar kundër një shteti të njohur ndërkombëtarisht”.

    Duke folur në ceremoninë përkujtimore në Potoçari, ai ka thënë se gjenocidi nuk ka qenë koincidencë historike, por diçka që është planifikuar, financuar dhe më pas kryer në mënyrë brutale.

    “E di që edhe sot shumë njerëz nuk duan të dëgjojnë për rolin e udhëheqësisë serbe në gjenocid. Obligimi im është të flas publikisht. Agresioni kundër Bosnje-Hercegovinës është nisur prej Beogradit. Pa mbështetje ushtarake, logjistike dhe financiare, gjenocidi në Srebrenicë nuk do të ishte i mundshëm”, ka thënë Beqiroviq.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e premtja shënon 30-vjetorin prej kur janë kryer krimet e tmerrshme në Srebrenicë.

    “Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund ta ndryshojmë të ardhmen. Në emër të shtetasve të Serbisë, shpesh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave boshnjake, me binden që një krim i ngjashëm nuk do të ndodhë më kurrë”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në X – dikur Twitter.

    Serbia nuk i konsideron si gjenocid krimet e kryera në Srebrenicë dhe vetë Vuçiq pati thënë se do t’i dekorojë përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, një vit më parë.

    Shumë delegacione kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në Potoçari, përfshirë edhe një nga Kosova në krye me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ministren në detyrë për Punë të Jashtme Donika Gërvalla, dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pas tri dekadash, “zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë”.

    “Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi. Le të mos harrojmë kurrë, le të mos heshtim kurrë!”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.

    Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka shpallur 11 korrikun ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.

    Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq ka thënë se Srebrenica është më shumë vend vuajtjesh sesa simbol i paralajmërimit.

    “Këtu e keqja e ka prekur pikën më të lartë në formën e gjenocidit. Këtu ka dështuar mekanizmi ndërkombëtar dhe parimet themelore të njerëzimit”, ka thënë Pllenkoviq në ceremoninë përkujtimore në Potoçari.

    Në Bosnje e Hercegovinë tashmë ka arritur një delegacion i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Brandon Hanrahan, si dhe dukesha e Edinburgut, Sophie Helen Rhys-Jones, ministrat e jashtëm të Suedisë dhe Danimarkës, dhe nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për Çështje Politike dhe Ndërtim Paqeje.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se ditët e errëta të gjenocidit në Srebrenicë nuk duhet harruar kurrë.

    Përmes një video-mesazhi, ai ka thënë se është përgjegjësi e secilit që të ndërtojë një të ardhme të ndritur dhe që NATO-ja do të luajë rol aktiv në këtë drejtim.

    “Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për sigurinë dhe nuk do të lejojmë vakum të sigurisë”, ka thënë Rutte, duke përmendur se retorika politike që dëgjohet për kthim mbrapa të Bosnjës është e papranueshme.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se Srebrenica do të mbetet përgjithmonë njollë në kujtesën e Evropës dhe botës, dhe i obligon të gjithë për të drejtën dhe të vërtetën.

    Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se “gjenocidi në Srebenicë është një prej kapitujve më të errët në kujtesën kolektive të Evropës”. Ajo e ka përmendur nevojën për ruajtje të së vërtetës, që gjeneratat tjera të jenë të vetëdijshme çfarë ka ndodhur.

    Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri më tani 6.765 persona, ndërsa rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirës së familjarëve.

    Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska – entitet serb – vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinë në korrik të vitit 1995, çfarë është cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007, konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë – që ishte zonë e mbrojtur nga OKB-ja – ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

    E njëjta gjykatë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe për shkeljen e obligimit për ndëshkimin e kryerësve të tij.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit të kaluar, miratoi një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Para gjykatave të ndryshme, deri më tani janë dënuar mbi 50 persona për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë, me mbi 700 vite burgim.

    Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.

    Gjatë luftës në vitet e 90-ta në Bosnje e Hercegovinë janë vrarë mbi 100.000 njerëz, janë zhdukur mbi 32.000, dhe ende po kërkohen eshtrat e 7.600 personave – mes tyre ende rreth 1.000 viktima të pagjetura pas gjenocidit në Srebrenicë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!