×
  • Lajme
  • Lajme

    Rakiq, ministër i qeverisë Kurti, fton Vuçiqin të reagojë për situatën në veri të Kosovës

    Reporteri
    20 Shtator 2021 | 12:15

    Goran Rakiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të reagojë lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas vendimit të qeverisë Kurti, që të aplikojë reciprocitet me Serbisë, lidhur me targat e automjeteve serbe që hyjnë në territorin e Kosovës.


    Nga sot qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë, lidhur me targat e automjeteve serbe. Të gjitha automjetet serbe që hyjnë në territorin e Kosovës detyrohen të heqin targat e lëshuara nga shteti serb, dhe të vendosin targa të përkohshme që bartin simbole të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kundër këtij vendimi kanë reaguar serbët lokalë dhe liderët serbë komunal atje, duke vendosur barrikada në rrugët pjesës veriore të Kosovës.

    Lideri i serbëve lokalë atje, Goran Rakiq, njëherit edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë Kurti, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të reagojë lidhur me situatën atje.

    “Ne i kërkojmë të gjitha palëve të jenë të arsyeshme, si Prishtina si njerëzit këtu. Dhe ne i bëjmë thirrje edhe një herë Beogradit që të reagojë. Njerëzit këtu janë të mërzitur dhe të frikësuar”, ka thënë Rakiq.

    “I bëj thirrje të gjithëve për arsyetim dhe paqe, që të mos bien pre e provokimeve. Dhe i bëj thirrje Prishtinës të mos provokojë, i bëj thirrje Beogradit të ndihmojë. Ne jemi vetëm këtu, por jam i bindur se Presidenti Vuçiq do të gjejë një zgjidhje dhe do të ndihmojë njerëzit tanë”, ka thënë Rakiq.

    Ai ka thënë se veprimet e qeverisë së Kosovës në këtë rast janë kundër interesave të popullit serb, shkruan Reporteri.net.

    “Ky nuk është aksion ky është veprim. Ne gjithashtu do t’i kërkojmë BE -së të reagojë”, tha kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq në Jarinje.

    Që nga mëngjesi i sotëm, njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në afërsi të dy vendkalimeve në veri të Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak.

    Qeveria e Kosovës këtë vendim po e arsyeton me masën e reciprocitetit, pasi Serbia prej kohësh i detyron qytetarët që drejtojnë automjete me targa të Republikës së Kosovës, që në momentin kur hyjnë në territorin e Serbisë, t’i largojnë ato, dhe në automjetet e tyre të vendosin targa të përkohshme që bartin simbole të shtetit serb. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!