Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar për abetaren e përbashkët mes Prishtinës dhe Tiranës.
“Gëzuar abetaren e parë të unifikuar, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.
Nga ana tjetër, ditën e sotme kanë nisur trajnimet e para të mësuesve për abetaren e parë të përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook Kushi thotë se abetarja e përbashkët unike do të jetë gati këtë shtator për klasat e para në Shqipëri dhe Kosovë.
Gjithashtu Kushi bëri me dije se në datën 1 shtator, së bashku me homologen e saj Arbërie Nagavci do të bëjnë prezantimin e parë të abetares unike për nxënësit e klasave të para në Kosovë.
“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi. Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës!”, shkruan Kushi në Facebook.