Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Burim Ramadani i ka komentuar reagimet e ashpra të korit diplomatik në Kosovë, të cilët u shprehën të zhgënjyer me aksionin e pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të vendit.
Ramadani ka veçuar paralajmërimin e SHBA-së për dobësimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai ka thënë se Serbia mori dy dhurata: dje nga Franca, sot nga Kosova.
“Serbia dje nëshkruajti për 12 aeroplanë luftarakë me Francën, Kosovës sot i dobësohet bashkëpunimi Polici-SHBA! Gjithçka që i nevojitet në këtë fazë armiqve të Kosovës është dobësimi i bashkëpunimit të MPB dhe Policisë me Amerikanët. Aq më keq, kur ky dobësim vjen si ndëshkim për: instrumentalizim të Policisë nga Qeveria, mos-mbajtje të premtimit për konsultime dhe koordinim, dhe minim të reputacionit të Kosovës si partner i besueshëm ndërkombëtar.”, ka shkruar ai.
Sipas Ramadanit, sa herë dëmton veten i jep nga një dhuratë armikut.