Pas ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka reaguar edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova. Edhe ajo i ka kujtuar Pacollit se lehtësimi i vizave s’është sikur liberalizimi që po e kërkon Kosova.
“Marrëveshja e BE-së për lehtësim të vizave me Bjellorusinë është kategori nën atë të Liberalizimit të vizave të cilën Kosova është afër ta përmbyllë me BE-në. Marrëveshja e lehtësimit është hap fillestar për të siguruar lëshim më të lehtë të vizave dhe jo për t’i shfuqizuar ato. Kosova anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt në liberalizim të vizave. Andaj BE-ja nuk ka prezantuar liberalizim të vizave me Bjellorusinë, as nuk ekziston një mandat i tillë aktualisht. Në anën tjetër, BE-ja dhe Kosova janë në fazën e fundit të konkludimit të dialogut për viza që do të rezultojë në liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Apostolova.
Ky reagim erdhi pasi, Pacolli ka shprehur pakënaqësi për vendimin e BE-së për lehtësim të liberalizimit të vizave për Bjellorusinë, ndërkaq Kosova pret që një kohë të gjatë për liberalizim.
Pacolli ka thënë se dëshiron të shoh se çfarë kanë për të thënë për një gjë të tillë shefja e BE-së, Natalya Apostolova dhe ambasadori Heldt.