Reagon Shpend Ahmeti pas takimit të fshehtë në Berlin

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, ka reaguar për takimin e mbajtur në Berlin në mes të përfaqësuesit të qeverisë së Kosovës, Avni Arifi, dhe atij të qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, të cilin e ka quajtur takim të papranueshëm.


“Takimi i mbajtur në Berlin në mes të Avni Arifit dhe Marko Gjuriqit, si vazhdim i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ashtu i fshehtë dhe pa kurrfarë paralajmërimi e konsultimi është i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm për zhvillimet politike në Kosovë e në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Ahmeti

“Përmes Rezolutës për Dialogun që themelon Delegacionin shtetëror dhe Ligjit për Delegacionin që ia sanksionon këtij të fundit të kompetencat dhe përgjegjësitë, deputetët e Kuvendit të Republikës janë përcaktuar për tjetër format të dialogut vendimmarrja për të cilin i takon Kuvendit. Ky mekanizëm për herë të parë ka sjellur në Kosovë vendimmarrje demokratike, transparente, e legjitime për sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, si dhe ka krijuar mekanizëm për konsensus politik e shoqëror. Takimet e tilla të fshehta bien ndesh me të gjitha parimet fondamentale që përfaqëson Delegacioni: pra është takim jo transparent, larg syve të deputetëve e publikut, pa kurrfarë legjitimiteti”, ka shkruar tutje Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar se takimi i cili është mbajtur është në kundërshtim të plotë me takimet udhërrëfyese të Platformës shtetërore për Dialogun.

“Kuvendi po ashtu ka miratuar Platformën shtetërore për Dialogun e cila ravijëzon qartë parimet udhërrëfyese të Kosovës në dialog. Aty në mënyrë të qartë dhe eksplicite është saktësuar se nuk ka dialog teknik e politike, e aq më pak vazhdimësi e atij lloj dialogu që e kemi pasur deri tash. Kështu që ky takim, dhe temat eventuale që qenkan diskutuar në të, janë në kundërshtim të plotë me parimet udhërrëfyese të Platformës”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, PDS ka pasur qëllim që dialogu me Serbinë për herë të parë të merr një dimension të racionalitetit politik e legjitimitetit demokratik dhe të bazohet në dokumente e takime transparente.

“Prandaj edhe kemi propozuar që Kuvendi duhet ta drejtojë atë. Prandaj edhe i kemi marrë seriozisht Rezolutën, Ligjin e Platformën. Sepse mendojmë se kjo është rruga e vetme se si mbrohet interesi i Kosovës, dhe se si mundësohet përbashkimi mes forcash politike e organizatash shoqërore për një çështje kaq të rëndësishme. E qartë: me talljen e jo seriozitetin e të tjerëve, me protagonizmin e papërgjegjësinë e krerëve institucional, nuk kemi arritur gjë e e kemi pësuar shumë. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të vazhdojmë njëjtë”, ka përfunduar Ahmeti.