×
  • Lajme
  • Lajme

    Reciprocitet: Veturave serbe që hyjnë në kufi u vendosen targa me flamurin e Republikës së Kosovës

    Reporteri
    20 Shtator 2021 | 9:26

    Nga sot, të gjitha veturat e regjistruara në Serbi, që hyjnë në territorin e Kosovës, në kufi do tu vendosen targat e përkohshme, që përmbajnë edhe flamurin e Republikës së Kosovës.


    Kjo si masë reciprociteti, me vendim të Qeverisë së Kosovës, që ka nisur së zbatuari qysh sot në orët e para të mëngjesit, në Veri të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Vendimi është nënshkruar sot, nga Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe pasoi me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës, në pjesën veriore të vendit.

    Targat e përkohshme, sipas vendimit, duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove dhe vlejnë për 60 ditë.

    “Obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovë; Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit; Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë”, thotë vendimi.

    “Taksa për targat e përkohshme nga pika 1 e këtij vendimi është 5 euro; Palët do të pajisen me vërtetim si zëvendësim i certifikatës së regjistrimit të automjetit; Obligohet Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet tutje në dokumentin.

    Ministri i Brendshëm, në një reagim të tij në facebook, ka thënë se vendimi është marrë “me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014”. Sipas tij, vendimi “aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar”.

     

    Sipas tij, njëkohësisht janë ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare, shkruan Reporteri.net.

    “Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS””, shkroi Sveçla në facebook.

    Ndryshe, prej kur Kosova ka tabelat e saj të qarkullimit, pas shpalljes së pavarësisë, Serbia ka aplikuar tabelat provuese për veturat me regjistrim RKS. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!