Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nga 1 shtatori ka pranuar 1,162 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kjo u bë e ditur për Reporteri.net, nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili njëherit tha se 940 nga kërkesat janë aprovuar, teksa 222 të tjera janë refuzuar.
“Deri më 1 shtator, përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org, KQZ ka pranuar 1,162 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, prej të cilave 940 janë aprovuar dhe 222 të tjera janë refuzuar për shkak të moskompletimit të dokumenteve, pasi në shumicën e rasteve aplikuesit nuk janë fotografuar duke e mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, thuhet në përgjigjen e Elezit për Gazeta Online Reporteri.net.
Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve nga diaspora ka filluar më 29 gusht dhe përfundon më 26 dhjetor.
Më 29 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë zgjedhjet e para që diaspora e Kosovës do të mund të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vende e huaja.
/Reporteri.net/.