×
  • Lajme
  • Lajme

    Rënia e një shtylle elektrike në punimet për “bashkimin e qytetit” lëndon 9 persona në Ferizaj

    Reporteri
    28 Tetor 2019 | 19:32

    Nëntë persona është dashur të marrin trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt, shkaku i rrëzimit të një shtylle elektrike në këtë lokal.


    Nga Emergjenca në këtë komunë, për KTV-në nëpërmjet telefonit kanë thënë se rreth 9 persona mbrëmjen e së dielës kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe se gjendja e tyre shëndetësore tani është e mirë.

    Sipas dëshmitarëve, rrëzimi i shtyllës elektrike ka ndodhur për shkak të punimeve në kuadër të projektit “Bashkimi i qytetit”, që po bëhen në afërsi të lokalit.

    Pronarët e lokalit që është dëmtuar, tashmë kanë angazhuar avokat dhe po kërkojnë kompensim të dëmeve.

    E, në një përgjigje me shkrim nga KEDS-i kanë thënë se kanë hapur rast në polici dhe Prokurori për dëmtim të rrjetit dhe pajisjeve.

    “Një kontraktor i Komunës ka kryer aty punime duke e prishur bazamentin e shtyllës, e cila më pas është rrëzuar. KEDS-i, me të identifikuar rastin, e ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës. Veprime të tilla janë të papranueshme. Për më tepër, për atë shtylle do të duhej të kërkohej zgjidhja teknike dhe do të duhej të veprohej në bazë të saj. As komuna, as kontraktori i saj nuk e kane bërë një gjë të tillë. Ne kemi hapur rast në polici për dëmtim të rrjetit dhe pajisjeve. Veprime të tilla nga këta kontraktorë të Komunës, janë te papranueshme. Të njëjtën kohë është duke u punuar përreth në atë vend ku ka shumë asete energjetike qe furnizojnë qytetarët me energji. Për disa janë zgjidhjet teknike e për disa tjerë as nuk është kërkuar zgjidhja teknike. Por, edhe ne rastet kur është kërkuar dhe dorëzuar zgjidhja teknike, nuk po veprohet konform tyre”, ka thënë Viktor Buzhala, nga KEDS.

    Derisa nga KEDS-i thonë se komuna nuk ka kërkuar zgjidhje teknike për atë shtyllë, zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, thotë të kundërtën.

    Punën që komuna dhe kompania kontraktuese është duke e bërë në kuadër të këtij projekti, po e kritikon edhe shoqëria civile.

    Në po këtë pjesë, muaj më parë kishte filluar edhe rrëshqitja e trotuarit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!